Google po përgatitet për të lançuar më në fund tabletin e parë të kompanisë gjatë vitit të ardhshëm, dhe gjatë kësaj jave janë bërë leak disa nga specifikat kryesore të këtij tableti.
Kuba Wojciechowski, i cili prej disa muajsh publikon detaje të reja nga ky produkt, ka zbuluar madhësinë e ekranit të Google Pixel tablet dhe disa opsione të memories së pajisjes.
Provat vijnë nga transportimi i disa njësive testuese në Indi, dhe në dokumenta tregohen pikërisht këto specifika. Fillimisht ne mund të shikojmë 2 variante të ndryshme për sa i përket memories. Në listë gjendet një model 128GB dhe një 256GB. Bëhet e ditur gjithashtu se tableti suporton Wi-Fi 6.
Një tjetër specifikë e përmendur në këto dokumente është ekrani 10.95 inç i tabletit Pixel, i cili do të rrumbullakoset në 11” për arsye marktingu kur tableti të prezantohet. Ky ekran do të suportojë standardin USI të lapsave siç raportohej më parë, dhe ka gjithashtu një konfirmim se një laps i ri USI 2.0 do të vijë nga Google.
Sigurisht asnjëri nga këto specifika nuk është surprizues. Prej shumë kohësh madhësia 11 inç e ekranit ka rezultuar perfekte për tabletët, duke përfshirë këtu dhe iPad Pro nga Apple apo Galaxy Tab S8.