Apple po kundërshton përpjekjet e Bashkimit Evropian për të detyruar Google që t’i lejojë aksesimin e shërbimeve të veta konkurrentëve në fushën e inteligjencës artificiale. Sipas një raportimi të Reuters, Komisioni Evropian po mbledh komente mbi masat që synojnë ta sjellin Google në përputhje me Aktit të Tregjeve Dixhitale.
Komisioni Evropian ka bërë të ditur më herët se do të analizojë nëse veçoritë e reja të inteligjencës artificiale të Google respektojnë kërkesat e ligjit. Sipas Teresa Ribera, nënkryetare ekzekutive e KE-së për tranzicion të pastër, të drejtë dhe konkurrues, mjetet e AI po ndryshojnë rrënjësisht mënyrën se si përdoruesit kërkojnë informacion dhe ndërveprojnë me pajisjet e tyre. Ajo theksoi se, ndonëse kjo sjell mundësi të reja, BE synon të sigurojë një fushë loje të hapur dhe të drejtë, që të mos favorizojë vetëm disa kompani gjigante.
Masat e propozuara nga Komisioni do t’u lejonin shërbimeve rivale të AI të ndërveprojnë me aplikacionet e Google për funksione si dërgimi i email-eve apo porositja e ushqimit. Google ka reaguar duke argumentuar se këto masa bien ndesh me standardet e privatësisë dhe sigurisë së përdoruesve në Evropë.
Edhe Apple ka paraqitur shqetësimet e saj zyrtarisht pranë Komisionit, duke theksuar se ka interes të drejtpërdrejtë në këtë çështje, për shkak të sistemit të vet operativ. Sipas kompanisë, masat e propozuara krijojnë rreziqe serioze për privatësinë, sigurinë, integritetin e pajisjeve dhe performancën e tyre, veçanërisht në një kontekst ku sistemet e AI po zhvillohen me shpejtësi dhe mbeten të paparashikueshme.
Apple gjithashtu ka vënë në dyshim kompetencën teknike dhe objektivitetin e Komisionit Evropian, duke sugjeruar se ai po “ridizenjon” në mënyrë të rrezikshme një sistem operativ, duke zëvendësuar gjykimin e inxhinierëve të Google me vlerësime të veta të bazuara në një periudhë shumë të shkurtër pune.

