Teksa jemi të rinj, presim që kujtesa të funksionojë normalisht dhe pa pengesa, pasi problemet me kujtesën zakonisht lidhen me moshën e tretë. Megjithatë, gjithnjë e më shumë të rinj po raportojnë vështirësi për të mbajtur mend edhe gjërat më të thjeshta. Kjo ka ngritur shqetësime mes shkencëtarëve, të cilët po kërkojnë shkaqet e këtij fenomeni te një element shumë i pranishëm në jetën e përditshme, teknologjia.
Sipas një studimi të botuar në revistën Brain Sciences, ekspozimi i tepruar ndaj përmbajtjeve online me cilësi të ulët, veçanërisht në rrjetet sociale, mund të çojë në atë që quhet “brain rot” (kalbëzim mendor). Ky term përshkruan rënien e aftësive njohëse dhe lodhjen mendore që prek kryesisht adoleshentët dhe të rinjtë. Sjellje si doomscrolling, “zombie scrolling” dhe varësia nga rrjetet sociale kanë pasoja serioze për shëndetin mendor, mirëqenien emocionale dhe mënyrën se si individët e perceptojnë veten.

Një tjetër studim, i publikuar në revistën Neurology, tregoi se përqindja e të rriturve që raportojnë paaftësi njohëse është rritur ndjeshëm nga viti 2013 deri në 2023. Rritja më e madhe u vu re te personat nën 40 vjeç, ku shifrat pothuajse u dyfishuan. Edhe pse studimi mbështetej në vetëraportim dhe kishte kufizime metodologjike, rritja e madhe mbetet shqetësuese.
Ekspertët sugjerojnë që edhe të rriturit duhet të kufizojnë kohën para ekranit, idealisht jo më shumë se dy orë në ditë jashtë punës. Strategu i karrierës Michael Hall thekson se çdo moment i kaluar duke shfletuar jetën e të tjerëve është një moment i humbur nga kujtimet tona. Për të ruajtur kujtesën, nevojitet më shumë vetëdije dhe përdorim i qëllimshëm i teknologjisë.

