Kompania e analizimit të të dhënave, Counterpoint Research tregon se për herë të parë në SHBA ka më tepër iPhone në përdorom se çdo lloj tjetër smartphone-i. iPhone-t kaluan të gjithë ekosistemin e Android në qershor të këtij viti duke zënë 50% të tregut të smartphone-ve në SHBA. Kjo është përqindja më e madhe e tregut që Apple ka pasur ndonjëherë në këtë treg.
Shifrat e pajisjeve Apple që janë aktualisht në përdorim u siguruan nga “active installed base”, një njësi matëse që llogarit dhe përdoruesit që kanë blerë një pajisje të përdorur më parë.
Në ditët e hershme të iPhone, iOS nuk ka patur kurrë një përqindje të afërt me 50%. Gjatë asaj kohe kompanitë që dominonin tregun ishin BlackBerry, Nokia dhe Motorola. Në 2010, dy vite pas debutimit të tij, Android kaloi iOS në renditje duke u shndërruar në sistemin operativ më të përdorur. Që nga ajo kohë Android ka dominuar tregun global të smartphone-ve, me më tepër se 70% të tregut.
Me shumë mundësi kjo gjë nuk përbën një problem për Android, pasi iPhone ka pasur gjithmonë një prezencë të lartë në SHBA krahasuar me tregjet e tjera, megjithatë Google po e ndjek këtë çështje me kujdes.
“Kjo është një arritje e madhe që mund të riprodhohet dhe në shtete të tjera në botë.” tha Jeff Fieldhack, drejtues i Counterpoint Research.