Google ka publikuar versionin e parë beta të Android 17, duke sjellë përmirësime të rëndësishme në performancë, kamera, media dhe mbi të gjitha një ndryshim thelbësor në mënyrën se si zhvilluesit marrin akses në veçoritë dhe API-të e reja. Me këtë version, Google po heq dorë nga developer beta tradicionale dhe po kalon në një Canary channel të vazhdueshëm për zhvilluesit.
Ky model i ri është i ngjashëm me qasjen që Google përdor për zhvillimin e Google Chrome, i cili ka prej kohësh një kanal Canary. Sipas kompanisë, kjo do të thotë që veçoritë dhe API-të e reja do t’u bëhen të disponueshme zhvilluesve sapo të kalojnë testimet e brendshme, pa pritur cikle të gjata publikimi. Përditësimet do të shpërndahen “over-the-air”, duke mundësuar flukse pune më të integruara dhe testim më efikas të aplikacioneve.

Google ka deklaruar se synon stabilitetin e platformës në mars, ndërsa publikimi zyrtar i Android 17 pritet në tremujorin e dytë të vitit 2026. Kjo vjen në vazhdën e strategjisë së re të nisur me Android 16, ku kompania kaloi në dy publikime SDK në vit, një të madh në gjysmën e parë dhe një më të vogël në gjysmën e dytë. Qëllimi është të ndihmohet prodhuesit e pajisjeve të përditësojnë më shpejt telefonat dhe tabletët, duke ulur fragmentimin në ekosistemin Android.
Një ndryshim i rëndësishëm në Android 17 është se zhvilluesit nuk do të mund të shmangin më kufizimet e riformatimit. Aplikacionet nuk do të lejohen të detyrojnë orientimin ose madhësinë e dritares në pajisje me ekrane të mëdha, si tabletët dhe pajisjet palosëse. Kjo synon përvojë më të mirë dhe më konsistente në formate të ndryshme ekrani.

Nga ana teknike, Android 17 sjell API të reja për tranzicione më të buta të kamerës, mbështetje për codec-in video VVC (H.266), menaxhim më të mirë të volumit mes aplikacioneve dhe kontrolle më strikte për audio në sfond. Përmirësimet e performancës përfshijnë më pak frame të humbura, mekanizëm më efikas të pastrimit të memories (garbage collection) dhe lidhje Wi-Fi më të qëndrueshme, me zbulim më të mire në afërsi dhe komunikim më të sigurt mes pajisjeve.

