Nëse ju jeni nga ata njerëz që pëlqejnë të shkrepin shumë selfie gjatë pushimeve të tyre, atëherë Portofino në Itali mund të mos jetë destinacioni i duhur për ju.
Qyteti ka prezantuar një rregull të ri në zona të caktuara që ju detyron të mos ndaloni për të shkrepur fotografi, duke penguar kështu dhe turistët e tjerë që dëshirojnë të shijojnë pamjet e mrekullueshme që Portofino ofron. Nëse ju qëndroni për një kohë më të gjatë në këto zona mund të gjobiteni deri në €275.
Ky vendim u mor pasi zonat e përcaktuara janë ndër më të vizituarat nga turistët dhe janë gjatë gjithë kohës të tejmbushura me njerëz të cilët dëshirojnë të shkrepin dhe një selfie të bukur. Qyteti i Portofinos njihet për bukurinë e saj.
Kryebashkiaku i Portofinos, Matteo Viacava tha se po krijohet një kaos i vërtetë nga të gjithë turistët që ndalojnë në këto vende për të shkrepur fotografi të ndryshme, duke rënduar kështu dhe trafikun. Rregulli është aktiv për të gjithë kalimtarët nga mëngjesi deri në orën 6 të pasdites.
Portofino nuk është qyteti i vetëm që po vuan nga probleme të tilla. E njejta gjë ka ndodhur dhe në Mbretërinë e Bashkuar, Francë apo SHBA, shtete që kanë marrë vendime të ngjashme për të shmangur trafikun e krijuar.