Një nga projektet më të çuditshme dhe simbolike të dekadës së fundit po del më në fund nga faza e ideve. I quajtur Earth’s Black Box, ky strukturë monumentale po ndërtohet në një pistë ajrore të largët në Tasmani, me një mision të pazakontë: të regjistrojë në heshtje rrugën e njerëzimit drejt vetëshkatërrimit klimatik.
I frymëzuar nga kutitë e zeza të avionëve, projekti do të funksionojë si një regjistrues pothuajse i pashkatërrueshëm i historisë sonë. Pas tij qëndron Rouser Lab, e cila thotë se struktura do të mbledhë të dhëna nga agjenci hapësinore, stacione meteorologjike dhe universitete, për të krijuar një pasqyrë “të paanshme” për brezat e ardhshëm, nëse do të ketë të tillë.
Kutia e zezë e Tokës do të jetë 16 metra e gjatë, 4 metra e lartë dhe e ndërtuar mbi granit 500 milionë vjeçar në bregun perëndimor të Tasmanisë. Muret e çelikut janë projektuar të përballojnë ciklone, tërmete, zjarre, përmbytje apo edhe sulme, ndërsa energjia do të sigurohet nga panele diellore dhe sisteme termoelektrike. Me fjalë të tjera, ai synon të vazhdojë regjistrimin edhe shumë kohë pasi njerëzit të mos jenë më aty.

Projekti u njoftua fillimisht në vitin 2021, paralelisht me COP26, por për vite me radhë dukej i braktisur. Tani, Rouser Lab ka konfirmuar se ndërtimi ka nisur dhe se instalimi përfundimtar do të bëhet pranë Queenstown deri në dhjetor.
Sipas drejtorit artistik Jonathan Kneebone, gjatë këtyre viteve janë përmirësuar dizajni, sistemet e ruajtjes së të dhënave dhe modeli i financimit. Kur të aktivizohet, Black Box do të regjistrojë temperaturat globale, nivelet e detit, CO₂-n atmosferik, konsumin e energjisë, si dhe reagimin shoqëror ndaj krizës: fjalime politike, artikuj akademikë, lajme dhe madje edhe postime në rrjete sociale.

