Pushimet e hidratimit në Kupën e Botës nuk po shërbejnë vetëm për mirëqenien e futbollistëve. Sipas ekspertëve të industrisë sportive, këto ndërprerje të shkurtra gjatë ndeshjeve mund të gjenerojnë mbi 1 miliard dollarë të ardhura nga reklamat në nivel global.
FIFA ka argumentuar se pushimet janë të nevojshme për të mbrojtur lojtarët nga temperaturat e larta, veçanërisht në turnetë e zhvilluara në Amerikën e Veriut. Megjithatë, ato po përdoren edhe në stadiume të mbyllura dhe të klimatizuara, me arsyetimin se rregullat duhet të zbatohen në mënyrë të barabartë në çdo ndeshje.

Në SHBA, transmetuesi Fox Sports ka shfrytëzuar maksimalisht këto momente, duke transmetuar reklama në ekran të plotë dhe duke i sponsorizuar vetë pushimet me marka të mëdha. Në disa raste, shikuesit përballen me tre nivele ekspozimi reklamash njëkohësisht: sponsorin e pushimit, reklamat televizive dhe produktet e sponsorëve që përdoren nga lojtarët në fushë.
Ekspertët e marketingut sportiv vlerësojnë se komapnitë e transmetimit mund të gjenerojnë qindra miliona dollarë nga këto hapësira shtesë reklamuese. Kur kjo praktikë shumëzohet në tregje si Kanadaja, Meksika, Gjermania, Franca, Japonia, India dhe Australia, shifra globale mund të kalojë 1 miliard dollarë.

Për FIFA-n, përfitimi nuk është direkt, pasi të ardhurat nga reklamat mbeten tek transmetuesit. Megjithatë, rritja e potencialit fitimprurës të të drejtave televizive e bën produktin e Kupës së Botës më të vlefshëm në negociatat e ardhshme.
Analistët besojnë se pushimet e hidratimit kanë shumë gjasa të mbeten pjesë e turneve të FIFA-s, veçanërisht me Botërorin 2030 që do të zhvillohet në Spanjë, Portugali dhe Marok. Nga ana tjetër, UEFAka deklaruar se nuk planifikon të ndryshojë rregullat për kompeticione si Champions League apo Euro 2028, duke lënë të kuptohet se modeli i FIFA-s mund të mos adoptohet gjerësisht në futbollin europian.

