Meta është vënë sërish në qendër të debatit për privatësinë pas prezantimit të Muse Image, gjeneratorit të ri të imazheve me inteligjencë artificiale. Funksioni i ri lejon përdoruesit të krijojnë imazhe të reja duke përdorur fotot publike të llogarive në Instagram, ndërsa të gjithë përdoruesit e rritur me profile publike janë përfshirë automatikisht në këtë sistem.
Përmes aplikacionit Meta AI, mjafton të përmendet një llogari publike në Instagram dhe chatbot-i mund të krijojë imazhe të reja të bazuara në një pjesë ose në të gjitha fotot e publikuara nga ai profil. Ky aktivizim automatik, pa kërkuar pëlqimin paraprak të përdoruesve, shkaktoi reagime të menjëhershme në rrjetet sociale.
Shumë përdorues e cilësuan funksionin si një shkelje të privatësisë, duke kritikuar faktin se Meta nuk i njoftoi kur përmbajtja e tyre mund të përdorej nga AI. Brenda pak orësh u shpërndanë udhëzime se si funksioni mund të çaktivizohej.
Si të ndaloni përdorimin e fotove tuaja nga AI i Meta
- Hapni aplikacionin Instagram dhe shkoni te profili juaj.
- Prekni menunë me tre vija në këndin e sipërm djathtas.
- Lëvizni poshtë deri te seksioni “Share and Reuse”
- Gjeni opsionin “Allow people to reuse your content on Instagram and with AI features”.
- Çaktivizoni (Off) këtë opsion për të mos lejuar përdorimin e fotove dhe videove tuaja publike nga funksionet e AI të Meta.
- Nëse dëshironi më shumë privatësi, kthejeni llogarinë në “Private”, pasi Meta nuk përdor për këtë funksion përmbajtjen e llogarive private.

Kujdes: Edhe pas çaktivizimit të këtij opsioni, Meta thotë se tekstet, komentet dhe materialet audio të publikuara në platformë mund të vazhdojnë të ripërdoren për disa funksione të inteligjencës artificiale. Gjithashtu, përdoruesit nën moshën 18 vjeç nuk përfshihen në këtë funksion, edhe nëse profili i tyre është publik.

