Falë zhvillimeve më të fundit në teknologji dhe politikë shkencëtarët atomikë kanë afruar orën për “Fundin e Botës” për vitin 2026 në 85 sekonda para mesnatës, pozicioni më i afërt ndonjëherë me shkatërrimin teorik të njerëzimit. Ky vendim pasqyron rreziqet gjithnjë e më të mëdha që kërcënojnë ekzistencën njerëzore, përfshirë armët bërthamore, ndryshimet klimatike dhe zhvillimin e pakontrolluar të teknologjive të reja, si inteligjenca artificiale. Është hera e tretë në pesë vitet e fundit që ora zhvendoset më pranë mesnatës.
Sipas Bulletin of the Atomic Scientists, çdo sekondë ka rëndësi dhe koha për veprim po mbaron. Presidentja dhe CEO e organizatës, Alexandra Bell, theksoi se realiteti aktual është i ashpër, por problemet janë të krijuara nga njeriu dhe mbeten të zgjidhshme. Kjo orë thjesht “vizualizon afërsinë metaforike të njerëzimit me katastrofën globale”, sipas Buletinit. Artistja Martyl Langsdorf e projektoi orën për kopertinën e revistës Bulletin në vitin 1947, duke e vendosur atë në shtatë minuta para mesnatës, sepse “ashtu i dukej mirë”. Tani, kjo kohë është caktuar nga ekspertë të shkencës dhe sigurisë, të cilët vlerësojnë kërcënimet e bëra nga njeriu, duke përfshirë ndryshimet klimatike, armët bërthamore dhe “teknologjitë e reja përçarëse” si AI dhe bioteknologjia.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua inteligjencës artificiale dhe rolit të saj në përhapjen e dezinformimit. Fituesja e Çmimit Nobel për Paqe, Maria Ressa, e përshkroi situatën aktuale si një “shkatërrim informativ”, ku rrjetet sociale dhe AI gjeneruese nuk janë më të bazuara në fakte, duke e kthyer njeriun në një produkt të një industrie grabitqare.
Shkencëtarët ngritën gjithashtu alarmin për konfliktet mes shteteve të armatosura me armë bërthamore dhe i bënë thirrje administratës Trump të rifillojë dialogun me Rusinë për kontrollin e armëve. Traktati Neë START, marrëveshja e fundit që kufizon arsenalet bërthamore strategjike, pritet të skadojë më 4 shkurt, pa shenja të qarta rinovimi.
Megjithatë, mesazhi përfundimtar është se shpresa ekziston, pasi sa herë që ora është kthyer pas, kjo ka ndodhur falë bashkëpunimit të shkencëtarëve, ekspertëve dhe presionit të opinionit publik për veprim konkret.

