E lexuat saktë: GTI duket se ka një të ardhme të rezervuar në epokën elektrike, dhe Volkswagen ID. GTI Concept është makina që e vërteton këtë.
E bazuar në konceptin ID.2all që u zbulua në mars, ID. GTI është versioni i ri që kreu i dizajnit Andreas Mindt (i cili dizenjoi Mk7 Golf) e ka pasur në heshtje në mendje gjatë gjithë kohës. Dhe siç mund ta shihni nga fotot, elemente të ndryshme dalluese të GTI janë ruajtur. Sigurisht që nuk ka transmision manual, një lajm i keq për të gjithë entuziastët e makinave.
E kontrolluar nga një Vehicle Dynamics Manager, shoferi do të jetë në gjendje të konfigurojë drejtimin e makinës, përvojën e zhurmës së rreme të motorit dhe ndërrimin e simuluar të marsheve. Hapësira e brendshme për tani shfaqet vetëm në dizenjimet dixhitale, megjithëse ekrani me prekje 12.9 inç dhe blloku i kontrollit të klimës thuhet se janë mjaft afër specifikave të prodhimit. Vini re se kondicioneri i ajrit merr butona të ndriçuar dhe ka një rrotull të veçantë për kontrollin e volumit.
Përfshihen gjithashtu dy hapësira karikimi wireless me fiksim magnetik, disa USB-C dhe një kabinë dixhitale 10,9 inç përpara shoferit. Në modalitetin “Vintage“, ju do të prezantoheni me panelin e instrumenteve nga GTI origjinal. Ide e bukur!
“Kombinimi perfekt i kënaqësisë së drejtimit dhe përdorimit të përditshëm – kjo është ajo që tre shkronjat GTI kanë nënkuptuar për dekada të tëra”, tha CEO i VW, Thomas Schäfer. “Me ID. GTI Concept, ne po transportojmë ADN e GTI në epokën elektrike. Mbetet sportiv, ikonik, teknologjikisht progresiv dhe i aksesueshëm, por tani ka një interpretim të ri për botën e së nesërmes: elektrike, plotësisht e lidhur dhe jashtëzakonisht emocionuese.”