Tregu evropian i automjeteve ka shënuar një pikë historike kthese në dhjetor të vitit të kaluar, kur për herë të parë makinat elektrike (EV) tejkaluan në shitje automjetet tradicionale me benzinë. Sipas të dhënave të Shoqatës Evropiane të Prodhuesve të Automjeteve (ACEA), mbi 300 mijë makina elektrike u shitën gjatë këtij muaji, duke shënuar një rritje vjetore prej rreth 50% dhe duke lënë pas automjetet me motorë me djegie të brendshme.
Ky zhvillim vjen pas disa ndryshimeve graduale në treg: në fund të vitit 2023, makinat elektrike kaluan ato me naftë, ndërsa një vit më pas, edhe hibridet plug-in i tejkaluan këto automjete. Edhe pse nafta ende lejohet në Evropë, pjesa e tij në treg ka rënë vazhdimisht gjatë dekadës së fundit. Tashmë, e njëjta prirje po vërehet edhe për makinat me benzinë, teksa prodhuesit po nxjerrin gjithnjë e më shumë modele elektrike për të ulur emetimet mesatare të flotave të tyre.

Një faktor kyç në këtë rritje është numri në rritje i modeleve elektrike më të përballueshme, duke e bërë teknologjinë tërheqëse për një gamë më të gjerë blerësish. Megjithatë, hibridet vazhdojnë të dominojnë tregun evropian (380,921 në dhjetor), edhe pse ritmi i rritjes së tyre është shumë më i ngadaltë krahasuar me EV-të.
Në dhjetor 2025, në BE, Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet e EFTA-s u regjistruan rreth 309 mijë makina elektrike. Në të njëjtën kohë, regjistrimet e makinave me benzinë ranë me gati 20% (254,449), ndërsa ato me naftë pësuan rënie edhe më të madhe (70,000).
Në total, gjatë vitit të kaluar u regjistruan pothuajse 2.6 milionë makina elektrike në Evropë, duke konfirmuar se tranzicioni drejt elektromobilitetit nuk është më një tendencë e ardhshme, por një realitet i tanishëm.

