Në një përpjekje për të luftuar shqetësimet mbi privatësinë e qytetarëve në Evropë, TikTok ka zbuluar planet për të hapur një qendër të madhe të dhënash në Norvegji. Kompania e mediave sociale ka marrë në zotërim një objekt në rajonin e Hamarit, i cili do të shndërrohet në qendrën e saj më të madhe të të dhënave në Evropë.
Kompania, në pronësi të Bytedance me zyra qendrore në Kinë, është përpjekur të adresojë shqetësimet se qeveria kineze mund të ketë akses në të dhënat e qytetarëve evropianë që përdorin TikTok. “Ne e kuptojmë skepticizmin,” tha Theo Bertram, zëvendëspresident i TikTok për marrëdhëniet qeveritare dhe politikat publike. “Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse ne nuk po bëjmë vetëm hapin e ruajtjes së të dhënave në Evropë, por do ndërtojmë dhe një pengesë dixhitale rreth saj.”
Sipas TikTok, mbi 150 milionë njerëz në të gjithë Evropën përdorin TikTok çdo muaj. Ky numër i madh sjell dhe përgjegjësi, sipas gjigantit të teknologjisë. “Ne duam që njerëzit në TikTok të jenë të sigurt se mund të na besojnë të dhënat e tyre,” shpjegoi Bertram. Disa vende evropiane, duke përfshirë Italinë, Norvegjinë dhe Holandën, janë ngritur shqetësime për sigurinë e aplikacionit. Në mars, autoriteti antitrust i Italisë hapi një hetim për aplikacionin pasi dyshohet se shkel rregullat e tij duke lejuar publikimin e ‘përmbajtjeve të rrezikshme’ që nxisin vetëvrasjen, vetëdëmtimin dhe kequshqimin.
TikTok tani do të fillojë instalimin dhe testimin e serverëve në ndërtesën e parë, me qëllim që të fillojë migrimin e të dhënave të përdoruesve deri në verën e ardhshme. Pasi të jetë plotësisht funksionale, qendra e të dhënave të Norvegjisë do të funksionojë me 100% energji të rinovueshme.