WhatsApp ka nisur të testojë një version të aplikacionit i cili mund të aksesohet nga pajisjet me sistem operativ Wear OS. Me pak fjalë, nëse ju përdorni një Google Pixel Watch, Samsung Galaxy Watch 5 ose pajisje të tjera Wear OS, ju do të keni mundësinë që të dërgoni mesazhe me tekst apo zanore direkt nga kyçi i dorës tuaj.
Për momentin ky aplikacion po testohet nga personat të cilët janë të regjistruar në programin beta të testimit të WhatsApp. Është ende e paqartë se kur aplikacioni do të publikohet gjerësisht për t’u përdorur në mbarë botën.
Mirëpo si do të funksionojë WhatsApp në një smartwatch?
Si fillim ju duhet të fusni një kod me 8 shifra në orën tuaj në aplikacionin e WhatsApp. Më pas do të jeni në gjendje që të shikoni mesazhet dhe t’iu përgjigjeni miqve tuaj përmes teksteve apo mesazheve zanore. Të pranishme do të jenë dhe shërbimet “Open on phone” apo “People in this conversation”.
Dhe pse në treg mund të ketë aplikacione të palës së tretë, WhatsApp mund të shkarkohet për momentin vetëm në iOS, Android dhe Mac. Përdoruesit e smartwatch janë që tani në gjendje që të shikojnë njoftimet e WhatsApp nga kyçi i tyre si dhe të japin disa përgjigje të shpejta. Megjithatë me ardhjen e aplikacionit gjithçka do të jetë më e thjeshtë dhe do të ofrohen më tepër shërbime.