Ditën e djeshmet, OpenAI prezantoi ChatGPT Translate, një mjet të pavarur për përkthim në web, i cili e sjell funksionin e përkthimit në një ndërfaqe të dedikuar për përdoruesit, të lidhur drejtpërdrejt me ChatGPT. Ky hap shënon një pozicionim të ri të përkthimit si produkt më vete dhe jo thjesht si veçori brenda një chatbot-i.
ChatGPT Translate mbështet përkthimin në më shumë se 50 gjuhë, ndërsa testimet fillestare sugjerojnë se mund të përpunojë edhe disa gjuhë të tjera që nuk janë të listuara zyrtarisht. Ndërfaqja është e ngjashme me atë të Google Translate dhe DeepL, me dy panele, zbulim automatik të gjuhës, përzgjedhje të gjuhës burim dhe asaj të synuar, si dhe përkthim të menjëhershëm.

OpenAI thekson aftësinë e sistemit për të marrë parasysh tonin, idiomat dhe kontekstin. Përdoruesit mund të specifikojnë se si duhet të tingëllojë teksti i përkthyer, për shembull më formal për biznes, më akademik, më i rrjedhshëm ose i thjeshtuar sikur t’i shpjegohet një fëmije. Këto opsione e ridrejtojnë përdoruesin në ndërfaqen e plotë të ChatGPT, ku përkthimi shndërrohet në një proces interaktiv rishkrimi, ndryshe nga modelet tradicionale të përkthimit “direkt”.
Mjeti duket i orientuar drejt përdorimit të përditshëm dhe synon një audiencë të gjerë, përfshirë studentë, udhëtarë dhe profesionistë. Ai mund të përdoret si për tekste të gjata, ashtu edhe për mesazhe të shkurtra, tabela, menu apo komunikim bazë gjatë udhëtimeve. Aktualisht, ChatGPT Translate është falas dhe nuk kërkon abonim me pagesë, ndërsa nuk ka ende aplikacion të dedikuar për iOS apo Android.

