Emojit janë një pjesë e pandashme të komunikimit digjital në ditët e sotme, dhe emoji I topit të futbollit po merr një “upgrade” të papritur. Në prag të Kupës së Botës, WhatsApp ka bashkuar forcat me Adidas për të sjellë pranë përdoruesve topin zyrtar të këtij evenimenti, Trionda.
Tradicionalisht, emoji i futbollit paraqitej si një top klasik bardh e zi me gjashtëkëndësha. Por duke nisur nga sot, përdoruesit e WhatsApp do të shohin Trionda, topin zyrtar të ndeshjeve të FIFA World Cup. Ndryshimi ka ngjallur reagime pozitive mes tifozëve, të cilët e kanë komentuar gjerësisht në rrjetet sociale, duke e cilësuar si një detaj të vogël që tregon madhësinë kulturore të futbollit.

Topi Trionda është krijuar duke u bazuar në flamujt e vendeve pritëse të turneut: Kanada, Meksikë dhe SHBA. Ai përbëhet nga katër panele, të dekoruara me ngjyrat përfaqësuese të këtyre vendeve, të kuqe, blu dhe jeshile. Sipas drejtuesve të Adidas, ky top do të jetë në qendër të çdo goli, momenti dhe emocioni gjatë turneut.
Megjithatë, ndryshimi i emoji-t nuk është universal. Dizajni i ri do të shfaqet vetëm në WhatsApp, ndërsa aplikacione të tjera si Messages apo rrjete sociale të ndryshme do të vazhdojnë të përdorin versionin klasik. Përveç emoji-t, WhatsApp ka prezantuar edhe efekte të reja thirrjesh dhe një paketë stickers me tematikë futbolli, për të sjellë më shumë emocion në bisedat në grup.

