Një sjellje e pazakontë është vërejtur tek majmunët në Gjibraltar, ku rreth 230 majmunë kanë filluar të hanë dhe në mënyrë të qëllimshme. Shkencëtarët dyshojnë se kjo sjellje lidhet me dietën e tyre gjithnjë e më të varur nga ushqimet e përpunuara që u japin turistët, si akullore, biskota dhe patatina.
Studimi, i kryer nga University of Cambridge midis viteve 2022 dhe 2024, dokumentoi për 98 ditë raste kur 44 majmunë konsumonin dhe. U vu re se kjo sjellje ishte më e shpeshtë në zonat me më shumë turistë dhe gjatë sezonit turistik, duke sugjeruar një lidhje të fortë mes ushqimit të marrë nga njerëzit dhe këtij zakoni të ri.
Shkencëtarët mendojnë se ngrënia e dheut mund të ndihmojë në lehtësimin e problemeve tretëse të shkaktuara nga ushqimet e pashëndetshme. Lloji i dheut që konsumohet më shpesh, i njohur si “terra rossa”, është i pasur me argjilë dhe hekur. Argjila mund të ndihmojë në balancimin e pH të stomakut dhe në lidhjen e toksinave, duke ofruar një efekt mbrojtës për sistemin tretës.
Kjo sjellje nuk duket të jetë rezultat i evolucionit biologjik, por i mësimit social. Majmunët mësojnë nga njëri-tjetri dhe e përhapin këtë zakon brenda grupeve, duke krijuar një formë “kulture” të transmetuar. Fenomene të ngjashme janë vërejtur edhe në vende të tjera, ku primatët përshtaten me mjedisin e ndryshuar nga prania njerëzore.

