Bashkimi Evropian i ka kërkuar TikTok të ndryshojë atë që e cilëson si “një dizajn që krijon varësi”, përndryshe rrezikon gjoba shumë të rënda. Paralajmërimi vjen pas një hetimi të nisur në shkurt 2024 nga Komisioni Evropian ndaj aplikacionit në pronësi kineze, lidhur me respektimin e rregullave të sigurisë online sipas Aktit për Shërbimet Digjitale (DSA).
Në gjetjet paraprake, Komisioni deklaron se TikTok nuk ka vlerësuar në mënyrë të mjaftueshme rreziqet që funksione si autoplay dhe mekanizma të tjerë të dizajnit mund të kenë mbi mirëqenien e përdoruesve, veçanërisht të fëmijëve dhe të rinjve. Sipas autoriteteve evropiane, platforma gjithashtu ka dështuar të zbatojë masa efektive për të zbutur këto rreziqe, duke shkelur detyrimet ligjore për mbrojtjen e përdoruesve.
TikTok i ka hedhur poshtë këto akuza. Një zëdhënës i kompanisë tregoi për BBC se gjetjet përbëjnë një “përshkrim kategorikisht të rremë dhe krejtësisht të pabazë” të platformës dhe se kompania planifikon t’i kundërshtojë zyrtarisht ato. TikTok është ftuar të paraqesë përgjigjen e tij ndaj gjetjeve të Komisionit, përpara se të merret një vendim përfundimtar.

Nëse shkeljet konfirmohen, Komisioni Evropian mund t’i vendosë TikTok një gjobë deri në 6% të xhiros vjetore globale, e cila vlerësohet në dhjetëra miliarda euro. Komisionerja evropiane për teknologjinë, Henna Virkkunen, theksoi se për të shmangur gjobat, TikTok duhet të ndryshojë dizajnin e shërbimit të tij në Evropë.
Komisioni ka propozuar disa masa konkrete, përfshirë pauza të detyruara në përdorim gjatë natës, ndryshime në algoritmet e personalizimit të përmbajtjes, si dhe çaktivizimin e “infinite scroll”, funksioni që lejon shfletim të pandërprerë të videove.
Sipas Virkkunen, DSA i bën platformat përgjegjëse për ndikimin që kanë mbi përdoruesit, dhe BE-ja është e vendosur të zbatojë ligjin për të mbrojtur qytetarët dhe fëmijët në hapësirën digjitale.

