Airbnb thotë se do të ndalojë në të gjithë botën përdorimin e kamerave të sigurisë brenda pronave me qira. Ndryshimet në politikat e kompanisë do të hyjnë në fuqi në fund të muajt e ardhshëm.
Platforma e ofrimit të shtëpive me qera në internet thotë se masa synon të thjeshtojë rregullat e saj për kamerat e sigurisë dhe t’i japë përparësi privatësisë së mysafirëve. Përdoruesit e Airbnb kanë shprehur më parë shqetësime për përdorimin e kamerave të vëzhgimit në ambientet e brendshme. “Këto ndryshime janë bërë në konsultim me mysafirët tanë, mikpritësit dhe ekspertët e privatësisë dhe ne do të vazhdojmë të kërkojmë komente për të ndihmuar që politikat tona të funksionojnë për komunitetin tonë global,” tha në një deklaratë Juniper Downs, Shefi i Politikave dhe Partneriteteve të Komunitetit të Airbnb.
“Meqenëse shumica e listimeve në Airbnb nuk raportojnë se kanë një kamerë sigurie, ky përditësim pritet të ndikojë në një nëngrup më të vogël listimesh në platformë”, shtoi ajo. Rregullat aktuale të Airbnb lejojnë përdorimin e kamerave të sigurisë në ambientet e përbashkëta si dhomat e ndenjes dhe korridoret, për sa kohë që vendndodhja e pajisjeve bëhet e qartë në listimin e pronës.
Politika e përditësuar ndalon gjithashtu përdorimin e kamerave të jashtme të drejtuara brenda pronave. Airbnb nuk lejon që kamerat e sigurisë të vendosen në zona private si dhomat e gjumit dhe banjat. Rregullat e reja do të lejojnë ende përdorimin e kamerave të ziles së derës dhe monitorëve të zhurmës në zonat e përbashkëta. Këto pajisje gjithashtu duhet të tregohen në listimin e pronës.
Airbnb tha se kërkon të balancojë nevojën që pronarët të jenë në gjendje të monitorojnë sigurinë e pronës së tyre dhe të jenë të vetëdijshëm për çështje të tilla si personat e paautorizuar duke i dhënë përparësi privatësisë së mysafirëve.