Tesla ka tërhequr aplikimin që kishte bërë për të përfituar mbi $1 miliardë në subvencione për prodhimin e baterive në Gigafactory-n e Berlinit. CEO i Tesla, Elon Musk ka lënë të nënkuptohet përmes deklaratave të tij se Tesla tërhoqi aplikimin pasi nuk e duan këtë subvencion, mirëpo gjithçka është vetëm teori për momentin.
Pas prezantimit të planeve për të ndërtuar një fabrikë gjigande të prodhimit të makinave elektrike në Berlin, kompania konfirmoi gjithashtu se në këtë fabrikë do të prodhohen dhe qelizat e baterive. Me shumë mundësi kjo fabrikë do të jetë e para që prodhon dhe qelizat e baterive brenda fabrikës së prodhimit të makinave elektrike.
Gjatë kohës që Tesla e bëri këtë lajmërim, qeveria gjermane deklaroi se ishte gati të investonte miliarda dollarë për të inkurajuar prodhimin lokal të baterive. Fillimisht Tesla aplikoi në këtë program dhe ishte gati të bëhej një nga përfituesit më të mëdhenj të tij duke siguruar $1.35 miliardë.
Më pas, për arsye ende të paditura, Tesla tërhoqi aplikimin e saj në këtë program. Elon Musk u shpreh: “Këndvështrimi i Tesla është eliminimi i të gjithë subvencioneve nga qeveritë, duke përfshirë këtu dhe subvencionet e mëdha që jepen për naftën dhe gazin. Për disa arsye të ndryshme, qeveritë nuk dëshirojnë të ndalojnë këtë financim…
Pas studimit të detajeve të programit, Financial Times zbuloi se shkaku i tërheqjes së Tesla nga kjo garë mund të jetë një klauzolë që tregon se kompanitë nuk mund të jenë përfituese të fondit nëse ato e kanë aplikuar të njejtin prodhim të baterive në një fabrikë tjetër.