Microsoft po vazhdon të festojë përvjetorin e 20 të Xbox plot stil me atletet e reja të prezantuara në bashkëpunim me Adidas: Xbox 360 Forum Mid. Siç kuptohet dhe nga emri, këto atlete janë të inspiruara pikërisht nga konsola e dytë që kompania ka prodhuar.
Kjo nuk është hera e parë që Xbox ka bashkëpunuar me Adidas, pasi në muajin tetor prezantoi një tjetër koleksion të inspiruar nga konsola origjinale Xbox.
Xbox 360 Forum Mid do të përdorë ngjyrat origjinale të 360 si e bardha, e argjendta dhe jeshilja. Rripi mbërthyes do të simbolizojë CD reader-in e 360, ndërkohë që vrimat e ventilimit dhe logoja e Xbox shihen në pjesën e jashtme. Dhe pjesa e thembrës është dizenjuar që të duket njëlloj me kartën e memories.
Ky model do të vijë me lidhëse me ngjyra të ndryshme si blu, të kuqe, të verdhë dhe jeshile, të cilat përfaqësojnë butonat X,Y,A dhe B në controller-in e Xbox.
Për të gjithë fansat e Adidas dhe Xbox ka një tjetër lajm të mirë. Në datën 15 nëntor do të prezantohet një model i 3-të atletesh, të cilat kësaj here do të inspirohen nga Xbox Series X. Bashkëpunimi i parë mes këtyre kompanive ishte një version i limituar atletesh që u përdorën për giveaway, por Xbox 360 Forum Mid do të dalë në shitje dhe ju do të keni mundësi ta blini atë duke filluar nga data 4 nëntor në SHBA dhe Kanada përmes website-it të Adidas.