Makina e parë fluturuese elektrike e dizenjuar për të garuar sapo ka përfunduar testimet e nevojshme për të marrë pjesë në gara internacionale.
Prezantimi i tyre pritej të ndodhte në 2020, por si shumë evente të tjera u shty për shkak të pandemisë. Historia e Airspeeder filloi në verën e 2019 kur biznesmeni Matthew Pearson shprehu ambiciet e tij për të krijuar një makinë fluturuese elektrike të krijuar specifikisht për të garuar.
Kompania që po merret me zhvillimin e këtij projekti, Alauda Aeronautics bashkë me Airspeeder kanë prezantuar Alauda Airspeed Mk3, një multikopter 4 metra të gjatë, i cili kreu disa fluturime pa pilot për të testuar funksionalitetin e tij.
Fluturimet e para u zhvilluan në shkretëtirat e Australisë së Jugut nën vëzhgimin e Australia’s Civil Aviation Safety Authority (CASA).
Testimet e suksesshme do të lejojnë organizuesit të lançojnë serinë e garave “Airspeed EXA” më vonë gjatë këtij viti në 3 vendndodhje të ndryshme. Ato premtojnë se do të punojnë me pilotë profesionistë që vijnë nga aviacioni.