Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri do të mbahen në datë 25 prill 2021 dhe me sa duket politikat e reja të Facebook do të ndikojnë disi në këtë proçes. Duke filluar nga 11 marsi, të gjitha reklamat elektorale dhe politike në Shqipëri dhe në 32 vende të tjera duhet të vijnë nga reklamues të autorizuar, emri i të cilëve do të përfshihet në reklamë (Paid for by).
Këto politika të Facebook kanë qenë në dispozicion që nga qershori i 2019 që ka si qëllim rritjen e transparencës së reklamave. Me sa duket ky shërbim do të vijë në Shqipëri gjithashtu nga 11 marsi.
Mënyra se si ky shërbim funksion konsiston në autorizimin e reklamuesve për të shfaqur reklama politike, njoftimi i përdoruesve të Facebook nëpërmjet “Paid for by” dhe ruajtja e këtij informacioni për një afat prej 7 vitesh.
Si mund të marrim autorizim?
Për të marrë autorizim nga kompania Facebook për të publikuar reklama në lidhje me zgjedhjet në Shqipëri do ju duhet të konfirmoni identitetin tuaj me një letërnjoftim të lëshuar nga vendi në të cilin do të publikoni reklamën, pasi do të jeni përgjegjës për të. Ju mund të autorizoni veten tuaj ose faqen që drejton organizatën e cila do të shfaqet në njoftimin “Paid for by”.
Facebook punon me studiues, akademikë, gazetarë të ndryshëm duke i ofruar informacionin e mbledhur në Arkivin dhe programin e aplikimit të reklamave. Tani të gjitha reklamat elektorale në Shqipëri do të regjistrohen në këtë arkivë virtuale për një periudhë 7 vjeçare e cila do t’i mundësojë personave informacionin e nevojshëm për t’i studiuar dhe analizuar ato. Përveç kësaj kompania do të prezantojë dhe Raportin e arkivit të reklamës, ku do të shfaqen raportime si numri total i reklamave dhe shpenzimet që janë bërë.