Grand Theft Auto 6 pritet të jetë videoloja më e rëndësishme në histori dhe për këtë arsye do të ketë një nga debutimet më të suksesshme të çdo produkti argëtues. Sipas parashikimeve të kompanisë analitike Newzoo, loja e re e Rockstar Games mund të gjenerojë nga $3.25 deri në 5.2 miliardë të ardhura vetëm gjatë javës së parë të shitjeve, një shifër që do të vendoste standarde të reja për industrinë.
Edhe pse publikimi i GTA 6 është ende rreth pesë muaj larg, interesi i lojtarëve ka arritur nivele rekord. Newzoo vlerëson se porositë paraprake kanë gjeneruar tashmë rreth $260 milionë globalisht. Vetëm në fund të qershorit, shpenzimet për pre-order dixhital në SHBA dhe pesë tregjet më të mëdha evropiane arritën në rreth $180 milionë, ndërsa analistët besojnë se ritmi i rezervimeve do të përshpejtohet ndjeshëm deri në ditën e publikimit.

Parashikimet mbështeten edhe te suksesi historik i GTA 5. Loja e vitit 2013 arkëtoi $800 milionë në 24 orët e para, kaloi $1 miliard brenda tre ditëve dhe mbylli pesë ditët e para me $1.15 miliardë të ardhura nga rreth 16 milionë kopje të shitura.
Megjithatë, tregu i vitit 2026 është ndryshe. Çmimi bazë i GTA 6 do të jetë 80 dollarë, mbi standardin aktual të industrisë prej 70 dollarësh. Ndërkohë, pritja 13-vjeçare për vazhdimin e serisë dhe popullariteti i jashtëzakonshëm i GTA 5, që ka shitur mbi 230 milionë kopje, sugjerojnë se kërkesa për titullin e ri mund të jetë shumë më e lartë.
Nëse këto projeksione realizohen, GTA 6 nuk do të dominojë vetëm industrinë e videolojërave, por mund të shndërrohet në një nga prezantimet më fitimprurëse në historinë e argëtimit.

