Apple po rrit çmimet dhe fajin kësaj here nuk e ka inflacioni i zakonshëm, por AI. Gjiganti i teknologjisë nga Cupertino ka njoftuar se po rrit çmimet e iPad dhe MacBook, duke pranuar se nuk arrin më t’i mbrojë konsumatorët nga rritja dramatike e kostove të memories dhe ruajtjes së të dhënave, të nxitura nga boom-i i qendrave të të dhënave për inteligjencën artificiale.
Lëvizja prek drejtpërdrejt laptopët dhe tabletët, por jo iPhone. Megjithatë, goditja më simbolike është te MacBook Neo, laptopi më i lirë i Apple, i prezantuar vetëm pak muaj më parë për të konkurruar Windows dhe Chromebook-et buxhetore. Çmimi i tij bazë rritet nga 599 në $699, duke humbur avantazhin kryesor konkurrues.
Sipas Apple, prodhuesit e memories si Micron po i japin përparësi porosive nga gjigantë të AI-së si Nvidia, të cilët po ndërtojnë me shpejtësi qendra masive të të dhënave. Kështu furnizimi do të jetë i kufizuar për prodhuesit e pajisjeve konsumatore dhe çmimet po rriten me ritme historike.

Vetëm në tremujorin e parë të vitit 2026, çmimet e RAM-it janë rritur deri në 98%, dhe sipas TrendForce, pritet një tjetër rritje prej mbi 60%. Disa analistë e kanë quajtur këtë fenomen “RAMageddon”.
Rritjet nuk ndalen te Neo. MacBook Air me 512 GB shkon në 1,299 dollarë, MacBook Pro me 1 TB në 1,999 dollarë, ndërsa iPad Air 128 GB ngjitet nga 599 në 749 dollarë. Edhe HomePod dhe Apple TV nuk i shpëtojnë valës.
CEO i Apple, Tim Cook, ka paralajmëruar se kostot e memories do të kenë ndikim gjithnjë e më të madh në muajt në vijim. Analistët besojnë se rritja e çmimeve të iPhone është vetëm çështje kohe, një mendim i përforcuar edhe nga IDC.

