Legjislatorët evropianë po hedhin një hap tjetër të rëndësishëm drejt shkëputjes nga varësia ndaj teknologjisë amerikane. Parlamenti Evropian ka vendosur që të mos e përdorë më Google si motorin e parazgjedhur të kërkimit në kompjuterët e brendshëm të institucionit. Sipas raportimeve, duke filluar nga 4 qershori, kërkimet e bëra nga shiriti i adresës në Firefox dhe Microsoft Edge do të kalojnë automatikisht te alternativa franceze Qwant.
Megjithatë, punonjësit nuk janë të detyruar ta përdorin ekskluzivisht Qwant, pasi mund të vizitojnë drejtpërdrejt faqet e motorëve të tjerë të kërkimit ose të ndryshojnë manualisht cilësimet e parazgjedhura, nëse preferojnë diçka tjetër.
Sipas një emaili të brendshëm dërguar stafit, kjo lëvizje bëhet “në përputhje me angazhimin e Parlamentit për sovranitet digjital dhe mbrojtjen e të dhënave personale të përdoruesve”. Në të njëjtin komunikim, Qwant përshkruhet si një motor kërkimi evropian i fokusuar te privatësia.

Ky ndryshim vjen në një moment kur BE po përpiqet gjithnjë e më shumë të reduktojë varësinë nga teknnologjitë e huaja dhe të promovojë alternativa të zhvilluara brenda kontinentit. Komisioni Evropian pritet të prezantojë një paketë të re për sovranitetin digjital më 3 qershor, pikërisht me këtë synim.
Franca ka qenë ndër shtetet më aktive në këtë drejtim, duke planifikuar kalimin e kompjuterëve qeveritarë nga Windows në Linux, si dhe zëvendësimin e Zoom dhe Microsoft Teams me platformën vendase Visio për video-telefonata.
Ndërkohë, largimi nga Google si motor parazgjedhje nuk është një fenomen i izoluar. Alternativa si DuckDuckGo kanë përfituar nga pakënaqësitë ndaj integrimit agresiv të AI në Search, duke regjistruar rritje rekord të përdorimit në ditët e fundit.

