Google ka bërë një ndryshim të rëndësishëm në politikën e hapësirës falas për llogaritë e reja, duke vendosur që 15GB-të tradicionale të ofrohen vetëm për përdoruesit që verifikojnë llogarinë me një numër telefoni. Për vite me radhë, krijimi i një llogarie Google garantonte automatikisht 15GB hapësirë ruajtjeje të përbashkët për Gmail, Drive dhe Photos, një avantazh i konsiderueshëm krahasuar me shërbime të tjera si Apple.
Tashmë, gjatë procesit të regjistrimit, disa përdorues janë njoftuar se do të marrin vetëm 5GB hapësirë falas. Për të përfituar 15GB e plotë, është e nevojshme lidhja e një numri telefoni. Ky ndryshim nuk është shpallur gjerësisht, por është evidentuar përmes njoftimeve gjatë krijimit të llogarive të reja dhe përditësimeve në dokumentacionin zyrtar të ndihmës.

Njoftimi i shfaqur nga Google thotë:
“Llogaria juaj përfshin 5 GB hapësirë ruajtjeje. Merrni edhe më shumë hapësirë duke përdorur numrin tuaj të telefonit për Google Photos, Drive dhe Gmail.
– Zhbllokoni 15 GB hapësirë pa kosto duke përdorur numrin tuaj të telefonit
Google do të përdorë numrin tuaj të telefonit për t’u siguruar që hapësira shtesë të shtohet vetëm një herë për person.”
Edhe pse link-u shpjegues i politikës aktualisht nuk funksionon, është vënë re se Google ka ndryshuar gjuhën në faqet e mbështetjes, duke kaluar nga “15 GB hapësirë falas” në formulimin “deri në 15 GB hapësirë falas”. Sipas Internet Archive, ky ndryshim është bërë rreth mesit të marsit 2026.
Google e justifikon këtë politikë si masë kundër abuzimit nga përdorues apo bot-e që krijojnë llogari të shumta për të përfituar hapësirë të pakufizuar. Ndërkohë, reagimet kanë qenë të përziera, por kompania përballet, si të tjerët, me kosto gjithnjë në rritje për infrastrukturën e ruajtjes së të dhënave.

