Një gafë e rëndë teknike ka vendosur Microsoft në qendër të vëmendjes, pasi kopje plotësisht të luajtshme të Forza Horizon 6 janë shfaqur në faqet e piraterisë më shumë se një javë para lançimit zyrtar. Shkaku? Një ngarkim i gabuar i skedarëve të lojës në Steam gjatë fundjavës.
Normalisht, Steam lejon “ngarkimin” e lojërave në formë të enkriptuar, në mënyrë që ato të bëhen të luajtshme vetëm pasi çelësi i sigurisë të publikohet ditën e lançimit. Por herët të dielën, Microsoft ngarkoi rreth 155 GB të Forza Horizon 6 pa asnjë enkriptim, një detaj i zbuluar shpejt nga SteamDB.
Gabimi u përhap me shpejtësi në rrjete sociale dhe Reddit. Brenda pak orësh, komunitete të njohura të piraterisë raportuan se mbrojtja e lojës ishte thyer dhe versionet pirate po qarkullonin lirshëm. Edhe pse disa postime u hoqën për arsye ligjore, diskutimet për “crack”-un vazhduan. Ndërkohë, pamje dhe transmetime live nga loja janë shfaqur tashmë në YouTube.
Nuk është hera e parë që ndodh diçka e tillë. Në mars, një kopje e paenkriptuar e Death Stranding 2 u ngarkua gabimisht në Steam para daljes në PC, edhe pse loja ishte tashmë prej kohësh në PlayStation 5. Po ashtu, në vitin 2018, mbrojtja Denuvo e Hitman 2 u aksesua para lançimit zyrtar.
Për Microsoft-in, ky gabim mund të jetë i kushtueshëm. Forza Horizon 6 pritet të dalë më 19 maj (ose më 15 maj për blerësit e edicionit Premium prej 120 dollarësh). Një studim i vitit 2024 mbi Denuvo vlerëson se kur një lojë “crack”-ohet brenda javës së parë, të ardhurat bien mesatarisht me 20%. Në rastet e rrjedhjeve para lançimit, dëmi potencial mund të jetë edhe më i madh.

