Apple prezantoi javën e kaluar MacBook-un më të lirë në historinë e saj, MacBook Neo, me çmim $599. Megjithatë, paralelisht me këtë lëvizje drejt segmentit buxhetor, kompania po përgatit edhe produkte të reja në skajin më të shtrenjtë të tregut. Sipas Mark Gurman, Apple po punon për një linjë të re produktesh të cilësisë së lartë, që mund të mbajnë emrin “Ultra”.
Apple tashmë e përdor këtë markë për produkte të nivelit të lartë si Apple Watch Ultra, CarPlay Ultra dhe çipet Ultra, ndaj zgjerimi i saj në pajisje të tjera duket i natyrshëm. Gurman raporton se tre produkte kryesore mund të përfshihen në këtë linjë: iPhone Fold, gjenerata e ardhshme e AirPods dhe një MacBook me ekran me prekje.
iPhone Fold pritet të jetë një pajisje jashtëzakonisht e shtrenjtë, me çmim fillestar rreth $2,000, duke e pozicionuar qartë mbi modelet aktuale Pro. AirPods të rinj, nga ana tjetër, mund të përfshijnë kamera për “computer vision”, duke i mundësuar Siri-t të përdorë të dhëna vizuale për funksione të avancuara të AI-së, çka do t’i bënte më premium se AirPods Pro.
Ndërkohë, MacBook-u me ekran me prekje pritet të prezantohet si një produkt i veçantë, paralel me MacBook Pro, jo si zëvendësim i tij. Sipas Gurman, ky model mund të kushtojë edhe më shumë se versionet aktuale M5 Pro dhe M5 Max, ku ky i fundit nis nga 3,599 dollarë.
Raporti përmend gjithashtu diskutime të brendshme për një iPad të palosshëm dhe një version “Ultra” të iMac. Të gjitha këto përputhen me strategjinë e CEO-së Tim Cook, e cila synon nivele të shumëfishta çmimesh për produkte të provuara, nga MacBook Neo deri te pajisjet më ekskluzive, për të mbuluar të gjithë spektrin e tregut.

