Një kirurg në Londër ka realizuar një ndërhyrje që duket si e marrë nga një libër fantashkencë, pasi kontrolloi nga distanca një robot kirurgjikal rreth 2,400 km larg pacientit, në Gjibraltar, për të hequr prostatën kanceroze të një pacienti. Me këtë procedurë, The London Clinic u bë spitali i parë në Mbretërinë e Bashkuar që kryen me sukses kirurgji robotike në distancë.
Operacioni u drejtua nga Prokar Dasgupta, i cili punoi nga qendra robotike e spitalit në Harley Street, ndërsa pacienti 62-vjeçar ndodhej në St Bernard’s Hospital në Gibraltar. Duke përdorur sistemin kirurgjikal Toumai, mjeku kontrolloi 4 krahë robotikë dhe një kamerë 3D HD, me një vonesë vetëm 60 milisekonda mes lëvizjeve të tij dhe reagimit të robotit. Kjo vonesë minimale e bëri ndërhyrjen të ndihej pothuajse në kohë reale, gjë thelbësore për operacione delikate onkologjike.
Një ekip lokal ishte në gatishmëri në rast ndërprerjeje të lidhjes, por ndërhyrja u krye pa komplikacione. Për pacientin, përfitimi ishte i madh: ai shmangu udhëtimin e gjatë drejt Londrës apo Madridit dhe u operua pranë shtëpisë së tij, duke u ndier “shkëlqyeshëm” vetëm pak ditë më pas.
Edhe pse kjo është një risi për Mbretërinë e Bashkuar, kirurgjia robotike është arritur disa herë gjatë viteve të fundit. Kjo tregon se telekirurgjia po i afrohet përdorimit praktik, edhe pse mbeten sfida serioze lidhur me infrastrukturën, sigurinë, rregulloret dhe kostot.

