Shkencëtarët kanë ngritur alarmin për një trend viral në rrjetet sociale, veçanërisht në TikTok, i quajtur “dry scooping”, i cili po përhapet me shpejtësi te të rinjtë. Ky trend konsiston në gëlltitjen e pluhurit të suplementeve “pre-workout” pa e përzier me ujë, gjë që mund të shkaktojë pasoja serioze shëndetësore, përfshirë probleme të frymëmarrjes, komplikime kardiovaskulare dhe në raste ekstreme, vdekje.

Suplementet pre-workout përmbajnë zakonisht sasi të larta kafeine, aminoacide dhe substanca të tjera stimuluese, të cilat janë krijuar për t’u konsumuar të holluara në lëngje. Kur merren në formë të thatë, këto pluhura bëhen të rrezikshme. Për më tepër, ka pak kërkime shkencore mbi sigurinë dhe efektivitetin e tyre, dhe shumë prej përbërësve nuk janë të përshtatshëm për fëmijë, ndaj shitja e tyre zakonisht është e kufizuar për të rriturit.
Një studim i prezantuar në Konferencën Kombëtare të Akademisë Amerikane të Pediatrisë në vitin 2021 tregoi se përdorimi i këtyre produkteve po rritet ndjeshëm te adoleshentët. Studiuesit analizuan 100 video në TikTok me hashtagun “preworkout” dhe zbuluan se 31 prej tyre përfshinin dry scooping, duke grumbulluar mbi 8 milionë pëlqime. Vetëm tetë video tregonin përdorimin korrekt të suplementit, ndërsa të tjerat shfaqnin mënyra të rrezikshme ose të gabuara konsumimi.

Ekspertët paralajmërojnë se këto video mund të mashtrojnë të miturit dhe t’i shtyjnë drejt sjelljeve të rrezikshme. Një rast konkret është ai i influencueses 20-vjeçare Briatney Portillo, e cila pësoi infarkt pasi provoi dry scooping. Ajo përjetoi mpirje, dhimbje gjoksi dhe u shtrua në spital, duke u bërë një shembull i qartë i rrezikut real që paraqet ky trend.

