Kur një prej prodhuesve më të mëdhenj ndërkombëtar të automjeteve zgjodhi Vodafone Group Internet of Things (IoT) për të implementuar shërbimet e “makinave të lidhura/ connected cars”, në disa shtete nuk bëhej fjalë thjesht për një ofrues shërbimi telekomunikacioni. Në fakt bëhet fjalë për integrim në një infrastrukturë digjitale si Vodafone që lidh mbi 200 milionë pajisje në të gjithë globin, nga automjetet dhe fabrikat te spitalet dhe qytetet inteligjente.
Mesazhi është i qartë: e ardhmja e mobilitetit është e ndërlidhur, e orientuar nga të dhënat dhe pa kufij gjeografikë. Për ekonomi të vogla, por dinamike si Shqipëria, bashkimi i inovacionit automobilistik me rrjetet digjitale përfaqëson një mundësi për të kapërcyer faza zhvillimi dhe për ta kthyer mobilitetin e gjelbër në motor rritjeje.
Zgjidhjet e Vodafone IoT mundësojnë lidhje të pandërprerë me rrjetet lokale, në përputhje me kërkesat rregullatore, duke ofruar kontroll në distancë, diagnostikim teknik dhe monitorim në kohë reale. Automjetet po shndërrohen nga produkte mekanike në platforma softuerike mbi rrota. Për politikëbërësit, ky është një model konkret i bashkërendimit mes transportit, telekomunikacionit dhe rregullimit sektorial.
Hovi i automjeteve të gjelbra në Shqipëri
Tregu shqiptar po lëviz në të njëjtin drejtim. Në vitin 2025, tendenca e mjeteve të gjelbra u forcua edhe më tej, ku u regjistruan 6.187 mjete plotësisht elektrike, ose 98% më shumë sesa në vitin 2024.
Këto zhvillime janë nxitur kryesisht nga politika fiskale lehtësuese, kosto më të ulëta të operimit dhe ndoshta deri diku nga një rritje e ndërgjegjësimit mjedisor. Por automjetet elektrike janë edhe pajisje digjitale, të pajisura me sensorë, module komunikimi dhe softuer të integruar. Në praktikë, Shqipëria po ndërton një rrjet kombëtar pajisjesh të lidhura. Sfida tashmë është jo thjesht adoptimi, por shfrytëzimi i vlerës ekonomike që krijon kjo lidhshmëri.
Si krijohet vlera reale ekonomike: nga produktet te shërbimet
Përfitimi më i madh i mobilitetit të lidhur nuk qëndron vetëm te shitja e mjeteve, por te shërbimet e bazuara në të dhëna. Flotat mund të optimizojnë itineraret dhe të ulin kostot; sigurimet mund të bazohen në sjelljen reale të drejtimit; mirëmbajtja parashikuese redukton defektet; ndërsa sistemet inteligjente të parkimit dhe trafikut përmirësojnë menaxhimin urban.
Këto aplikime krijojnë kërkesë për softuer, analiza të dhënash dhe shërbime digjitale, duke hapur mundësi që Shqipëria të kalojë nga një treg importues automjetesh në ofruese shërbimesh mobiliteti me vlerë të shtuar.
Digjitalizimi si politikë zhvillimi
Automjetet e lidhura janë pjesë e një axhende më të gjerë digjitalizimi. E njëjta infrastrukturë IoT mund të transformojë energjinë përmes rrjeteve inteligjente, logjistikën me gjurmim në kohë reale, bujqësinë me teknologji precizioni dhe shërbimet publike në qytete.
Digjitalizimi funksionon si shumëzues ekonomik: ul kostot, rrit produktivitetin dhe përmirëson cilësinë e shërbimeve në të gjithë ekonominë.
E gjelbër, qarkulluese dhe rezistente
Shqipëria ka avantazhe strukturore. Prodhimi kryesisht hidroenergjetik e bën përdorimin e automjeteve elektrike më pak ndotës dhe më ekonomik. Sistemet e lidhura mundësojnë mirëmbajtje më efikase, përdorim më të mirë të pjesëve rezervë dhe menaxhim të riciklimit të baterive, duke reduktuar kostot dhe duke rritur konkurrueshmërinë.
Në të njëjtën kohë, infrastruktura digjitale rrit reziliencën, duke ndihmuar reagimin e shpejtë ndaj krizave apo ndërprerjeve në furnizim.
Avantazhi konkurrues rajonal
Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria veçohet për rritjen e shpejtë të mjeteve elektrike, furnizimin me energji të pastër, zgjerimin e rrjeteve celulare dhe një mjedis rregullator relativisht fleksibël. Edhe madhësia e tregut mund të jetë avantazh, pasi lejon pilotime dhe testim më të shpejtë të teknologjive të reja.
Roli i partnerëve të besuar multinacionalë
Mobiliteti i lidhur kërkon rrjete të sigurta dhe standarde ndërkombëtare. Kompani shumëkombëshe si Vodafone ofrojnë platforma globale IoT, siguri kibernetike dhe ekspertizë rregullatore, duke i lejuar bizneset dhe institucionet vendase të aksesojnë menjëherë infrastrukturë moderne dhe të shkallëzueshme.
Nga tendencë në strategji kombëtare
Partneritetet e Vodafone IoT me prodhues automjetesh tregojnë se mobiliteti i së ardhmes do të jetë digjital, i lidhur dhe i qëndrueshëm. Për Shqipërinë, drejtimi është i qartë: investime në infrastrukturë digjitale, përshpejtim i elektrifikimit dhe bashkëpunim me partnerë globalë.
Nëse këto politika zbatohen me vendosmëri, mobiliteti i lidhur mund të sjellë jo vetëm ajër më të pastër, por edhe vende pune, investime dhe një ekonomi më konkurruese. Në epokën digjitale, strategjia ka më shumë rëndësi se madhësia e tregut.
Shkruar nga Jonida Lakuriqi
* Jonida Lakuriqi është Drejtoreshë e Departamentit Ligjor, Politikave Publike dhe Marrëdhënieve me Jashtë në Vodafone Albania

