Raporti i ri i firmës së kërkimit Circana sfidon idenë e përhapur nga drejtuesit e kompanive të inteligjencës artificiale se publiku e refuzon AI-n sepse “nuk e kupton”.
Sipas studimit, 35% e të anketuarve nuk duan AI në pajisjen e tyre dhe shumica nuk e refuzojnë teknologjinë për shkak të kompleksitetit, por sepse nuk e shohin të nevojshme. Një tjetër arsye e fortë janë shqetësimet për privatësinë: 59% e të anketuarve pa interes për AI shprehen të shqetësuar se teknologjia mund të mbledhë apo monitorojë të dhëna personale. Ndërkohë, 43% nuk janë të gatshëm të paguajnë më shumë për pajisje me AI, veçanërisht për telefonët inteligjentë. Vetëm 15% e shohin AI-n si shumë të ndërlikuar për t’u përdorur.
Këto gjetje tregojnë se refuzimi i AI-së nuk vjen nga mungesa e informacionit, por nga një qëndrim i njerëzve të kënaqur me teknologjinë që përdorin dhe nuk ndihen rehat me idenë e mbikëqyrjes së vazhdueshme nga kompani të mëdha teknologjike. Edhe pse nuk u mat në mënyrë të drejtpërdrejt, disa persona mund të kenë gjithashtu shqetësime për dëmet mjedisore dhe ekonomike që sjell zhvillimi masiv i AI-së.
Megjithatë, sondazhi nuk tregon një refuzim të përgjithshëm. Në total, 65% e të anketuarve shprehen të interesuar për AI në të paktën një pajisje, përqindje që rritet në 82% te grupmosha 18–24 vjeç dhe bie gradualisht me rritjen e moshës. Kjo pasqyron një model të njohur se teknologjitë e reja adoptohen më shpejt nga të rinjtë sesa nga brezat më të vjetër.

