OnePlus 15 sapo ka dalë në treg prej disa muajsh, por tashmë kanë filluar të qarkullojnë rrjedhje informacioni për modelin e vitit të ardhshëm, OnePlus 16. Sipas specifikimeve të publikuara nga OnePlus Club, bëhet fjalë për një smartphone që synon të shtyjë kufijtë e teknologjisë pothuajse në çdo aspekt, nga ekrani dhe performanca, te kamera dhe bateria.
Ekrani është një nga elementët më mbresëlënës. OnePlus 16 pritet të vijë me një panel të sheshtë BOE X5 OLED, rezolucion 1220p dhe një frekuencë rifreskimi prej 240Hz. Nëse kjo konfirmohet, pajisja do të ishte vetëm telefoni i dytë në botë me këtë nivel rifreskimi. Falë teknologjisë LTPO, ekrani mund të ulet deri në 1Hz për të kursyer energji kur nuk nevojitet performancë maksimale.

Në aspektin e fuqisë, OnePlus 16 mund të përdorë versionin “Pro” të procesorit të ardhshëm Snapdragon 8 Elite Gen 6 nga Qualcomm, me thashetheme që flasin për shpejtësi deri në 6GHz. Pajisja do të shoqërohet me RAM LPDDR6 dhe memorie UFS 4.1, megjithëse pa hapësirë për kartë memorie të jashtme.
Bateria pritet të jetë pika më e fortë: një kapacitet gjigant prej 9,000mAh, dukshëm më i madh se ai i OnePlus 15. Karikimi 120W me kabllo dhe 50W wireless premton kohë shumë të shkurtra karikimi. Edhe kamerat janë ambicioze, me dy sensorë 200MP Samsung ISOCELL HP5, një për kamerën kryesore dhe një për telefoto periskopike, si dhe një kamerë ultra-wide të përmirësuar.
Veçori të tjera përfshijnë altoparlantë stereo të avancuar, motor vibrimi të përmirësuar, sensor ultrasonik për shenja gishtash, certifikim IP69 për rezistencë ndaj ujit dhe USB 3.0. Megjithatë, këto mbeten thashetheme jozyrtare dhe duhet marrë me rezervë, pasi lansimi pritet vetëm në fund të vitit 2026.

