CES 2026, panairi më i madh i teknologjisë që hap vitin për industrinë globale, është shumë pranë dhe do të zhvillohet zyrtarisht nga 6 deri më 9 janar në Las Vegas. Si çdo vit, CES do të shërbejë si skena kryesore për prezantime produktesh, demonstrime inovacionesh teknologjike dhe parashikime të trendeve që do të dominojnë vitin e ardhshëm.
Programi nis të dielën me “The First Look” të Samsung, ku CEO i divizionit DX, TM Roh, do të prezantojë vizionin e kompanisë për vitin 2026 dhe përvojat e reja të drejtuara nga inteligjenca artificiale. Të hënën pasojnë konferenca të shumta: LG do të flasë për “Affectionate Intelligence”, Intel do të prezantojë procesorët Core Ultra Series 3, Sony Honda Mobility do të japë detaje të reja për makinën e saj të parë, ndërsa CEO e AMD-së, Lisa Su, do të mbyllë ditën me njoftime për çipat e rinj.

Procesorë, monitorë, makina elektrike, robotë humanoid dhe shumë më tepër
Një nga pikat kulmore pritet të jetë edhe keynote i Jensen Huang (NVIDIA), i fokusuar te zgjidhjet që nxisin inovacionin dhe produktivitetin në industri të ndryshme. Të martën, Lenovo do të organizojë Tech World Conference në Las Vegas Sphere, me fokus në AI më të zgjuar për të gjithë.

Samsung dhe LG kanë nisur tashmë betejën për vëmendje para panairit. LG do të prezantojë televizorin e parë Micro RGB, monitorë 5K për gaming me AI upscaling, sisteme audio modulare me Dolby dhe robotin humanoid të automatizimit shtëpiak CLOiD. Nga ana tjetër, Samsung do të zgjerojë ndjeshëm linjën e saj Micro RGB TV, duke ofruar madhësi nga 55 deri në 115 inç, si dhe monitorë të rinj Odyssey, përfshirë një model 6K me 3D pa syze. Kompania ka paralajmëruar gjithashtu soundbar dhe altoparlantë të rinj me streaming Wi-Fi.

CES 2026 pritet të sjellë edhe një valë të re çipash. AMD mund të prezantojë procesorë të rinj Ryzen, përfshirë modele me arkitekturë Zen 5 dhe teknologjinë AI FSR Redstone. Intel do të lançojë Panther Lake (Core Ultra Series 3), çipin e parë me proces 2 nm, me rritje të ndjeshme performance. Qualcomm, nga ana tjetër, synon tregun e laptopëve me Snapdragon X2 Elite.

Ekranet do të jenë sërish në qendër të vëmendjes, me teknologji Micro RGB, panele më të ndritshme dhe standarde të reja HDR. Sony pritet të prezantojë teknologjinë e saj “True RGB”, ndërsa Samsung po shtyn përpara HDR10+ Advanced. Në paralel, robotika do të jetë një tjetër temë e fortë: nga robotë pastrues më inteligjentë deri te përmirësimet në navigim falë “world models” në AI.
CES 2026 pritet të konfirmojë rolin e AI, çipave të rinj, ekraneve të avancuara dhe robotikës si shtyllat kryesore të teknologjisë së së ardhmes.

