ChatGPT po i bashkohet trendit gjithnjë e më popullor të aplikacioneve që ofrojnë përmbledhje vjetore për përdoruesit, duke prezantuar funksionin e ri “Year in Review”. Ky opsion u jep përdoruesve një pasqyrë të detajuar të aktivitetit të tyre gjatë vitit 2025, përfshirë statistika si numri total i mesazheve të dërguara drejt chatbot-it, si dhe një imazh të personalizuar të krijuar nga inteligjenca artificiale në stil pixel art. Ky imazh synon të përmbledhë temat kryesore për të cilat përdoruesi ka komunikuar gjatë vitit.
Në shembullin e përshkruar nga vetë kompania, imazhi përfshinte një akuarium, një kasetë lojërash, një tenxhere elektrike Instant Pot dhe një ekran kompjuteri, duke reflektuar interesat e përdoruesit për konsola retro, gatim dhe mirëmbajtjen e një akuariumi. Përveç imazhit, “Year in Revieë” ofron edhe përmbledhje të tjera të personalizuara, si temat më të shpeshta të bisedave, një përshkrim të stilit të komunikimit të përdoruesit dhe ditën kur ai ka qenë më aktiv në ChatGPT.
Një element interesant i kësaj veçorie është edhe caktimi i një tipi, që e klasifikon përdoruesin sipas mënyrës se si e ka përdorur aplikacionin gjatë vitit, me etiketime si “The Producer” apo “The Navigator”. Këto shoqërohen me një çmim simbolik dhe të personalizuar, si p.sh. “Instant Pot Prodigy”, që lidhet drejtpërdrejt me interesat dhe aktivitetin e përdoruesit.

Aktualisht, përmbledhjet vjetore po shpërndahen për përdoruesit në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Kanada, Zelandën e Re dhe Australi. Funksioni është i disponueshëm vetëm për ata që kanë dhënë leje që ChatGPT të kujtojë bisedat e kaluara dhe preferencat personale. Përdoruesit mund ta gjejnë “Year in Review” nga faqja kryesore e aplikacionit në celular ose desktop, ose duke i kërkuar drejtpërdrejt ChatGPT-së: “show my year in review”.

