Architectural Record Awards është një organizatë që vlerëson projektet më të mira të kohëve të fundit, në një gamë kategorish të ndryshme, si dhe nderojnë zërat kryesorë në këtë fushë. Gjatë eventit të këtij viti ARA ka vlerësuar Piramidën e Tiranës në kategorinë “Adaptive Reuse” për transformimin në një qendër të re kulturore dhe teknologjike.
Piramida e Tiranës, një nga ndërtesat më të diskutuara të kryeqytetit ka marrë një pamje krejt të re falë studios holandeze të arkitekturës MVRDV. E ndërtuar fillimisht në vitin 1988 si muze për Enver Hoxhën, ajo humbi funksionin e saj pas rënies së bllokut lindor dhe për dekada u përdor në mënyra nga më të ndryshmet: nga klub nate, në qendër kulturore, deri te bazë e NATO-s gjatë luftës në Kosovë. Me kalimin e viteve ndërtesa u degradua dhe u shoqërua me debate të forta për shembjen e saj, por një gjë e tillë nuk u realizua.
Në vitin 2017, qeveria shqiptare vendosi që Piramida të transformohej në një qendër digjitale për të rinjtë. MVRDV u angazhua për ta rikthyer godinën në jetë, duke respektuar strukturën ekzistuese dhe duke e shtuar me elemente bashkëkohore. Fasada e re prej xhami, e lëvizshme, i mundëson ndërtesës të rregullojë temperaturën natyralisht. Por ndërhyrja më e dukshme është vendosja e kutive shumëngjyrëshe në dhe rreth Pyramidës, të cilat krijojnë hapësira të reja mësimore e sociale.

Këto kube strehojnë TUMO Tirana, një program arsimor që u ofron të rinjve kurse falas në teknologji, robotikë, dizajn dhe animacion. Për të rritur qasjen publike, në faqet e pjerrëta të ndërtesës janë shtuar shkallë që lejojnë ngjitjen në çatinë e saj nga disa drejtime. Njëra prej sipërfaqeve është lënë e lirë, në mënyrë që tradita e ngjitjes dhe zbritjes së piramidës të vazhdojë dhe nga brezat e rinj.
Arkitekti Benjamin Gilmartin e përshkruan projektin si një shembull të shkëlqyer të “përdorimit adaptiv”, duke treguar se si një simbol i së kaluarës komuniste mund të shndërrohet në një hapësirë publike plot energji, që pasqyron shpirtin modern të Tiranës dhe aspiratat e të rinjve.

