Shkencëtarët e Massachusetts Institute of Technology (MIT) kanë zhvilluar një teknologji revolucionare që mund të ndryshojë mënyrën implantimit të çipave në tru. Në vend të operacioneve invazive, studiuesit kanë krijuar mikroçipa pa tela që mund të injektohen përmes krahut dhe të udhëtojnë nëpërmjet qarkullimit të gjakut deri në rajonin e synuar të trurit.
Në një studim të kryer me minj laboratorikë, u zbulua se këta çipa mikroskopikë janë në gjendje të identifikojnë dhe të migrojnë vetë drejt zonës së synuar pa ndërhyrje njerëzore. Pasi arrijnë në vendin e duhur, ata ofrojnë stimulim elektrik të ngjashëm me atë që përdoret sot për trajtimin e Parkinsonit, sklerozës multiple, epilepsisë dhe depresionit.

Sipas profesoreshës Deblina Sarkar nga MIT Media Lab, këto pajisje “bashkëjetojnë me qelizat nervore, duke krijuar një simbiotë unike tru-kompjuter”. Çipat janë të kombinuar me qeliza biologjike të gjalla përpara injektimit, çka i mbron nga sistemi imunitar dhe u mundëson të kalojnë në mënyrë të sigurt përmes barrierës gjak-tru, pa pasur nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.
“Qelizat e gjalla maskojnë pajisjen elektronike në mënyrë që trupi të mos i sulmojë,” shpjegon Sarkar, “dhe kjo u lejon atyre të kalojnë lirshëm nëpër enët e gjakut drejt trurit.” Teknologjia, sipas studiuesve, mund të ofrojë alternativë shumë më të lirë dhe më të sigurt se implantet tradicionale, të cilat kushtojnë qindra mijëra dollarë dhe përfshijnë rreziqe të mëdha kirurgjikale.
Eksperimentet treguan se çipat mund të redukojnë inflamacionin e trurit përmes stimulimit të thellë elektrik (neuromodulimit). Në të ardhmen, përdorimi i llojeve të ndryshme qelizash mund të lejojë synimin specifik të rajoneve të trurit, duke e bërë këtë një platformë të re për trajtimin e sëmundjeve neurologjike dhe mendore.

