Një video virale nga Kina po shkakton debat për mënyrën e re dhe të pazakontë të shpërndarjes së letrës higjienike në tualetet publike. Pamjet, të publikuara nga China Insider, tregojnë një makineri futuriste që jep vetëm 6 fletë letre pasi përdoruesit skanojnë një kod QR me telefon dhe shikojnë një reklamë disa sekondëshe. Për më shumë letër, duhet parë reklama të tjera ose paguar 0.5 juanë (rreth 5 lekë). Sistemi synon të kufizojë shpërdorimin e letrës, pasi vizitorët shpesh përdorin më shumë se sa kanë nevojë.
Makineria ndodhet në hapësirën e përbashkët të tualetit, ndaj njerëzit duhet të marrin letrën para se të futen në kabinë. Nëse nuk marrin mjaftueshëm, rrezikojnë të mbeten në situata të pakëndshme. Komentues në Reddit kanë shprehur zemërim, madje kanë bërë thirrje për dëmtimin e pajisjes.
Në Kinë, mungesa e letrës në tualetet publike nuk është risi. Sipas një studimi të vitit 2020, shumica e banjove publike nuk ofrojnë letër, ndaj banorët dhe udhëtarët shpesh mbajnë me vete si letër ashtu edhe sapun. Po ashtu, shumë tualete nuk janë projektuar për të përballuar hedhjen e letrës në kanalizime, prandaj çdo kabinë ka kosh mbeturinash për letrën e përdorur, çka ka ngritur shqetësime higjiene.
Kjo qasje “teknologjike” është krahasuar me traditën britanike të shekullit XIX, kur njerëzit paguanin një qindarkë për të përdorur tualetin. Edhe në stacione të mëdha si London Paddington apo Edinburgh Waverley, pagesa për tualetin zgjati deri në vitin 2019, kur Network Rail i hoqi tarifat. Ndërkohë, sistemi kinez me reklama shihet si një hap më tej, duke kombinuar pagesën digjitale me reklamimin, por edhe me kursimin e burimeve.