Meta pritet të prezantojë zyrtarisht gjeneratën e re të syzeve inteligjente në eventin Connect, por planet e saj tashmë janë zbuluar përpara kohe. Pas më shumë se një viti thashetheme dhe rrjedhjesh informacioni, një video promovuese e postuar gabimisht në kanalin zyrtar të YouTube është bërë publike, duke treguar detaje të plota mbi produktet e reja.

Videoja, e raportuar nga UploadVR, zbulon “Meta Ray-Ban Display”, një model i ri syzesh me ekran të integruar, si dhe një variant të syzeve sportive Oakley me kamera. Dizajni i syzeve Ray-Ban ngjan me kornizat klasike Wayfarer, por tani përfshin një ekran të vogël që shfaq harta, biseda me miq dhe informacione kontekstuale në kohë reale. Gjithashtu përmendet një byzylyk i dedikuar që shërben për ndërveprim me pajisjen, ndërsa video tregon dikë duke lëvizur gishtat për të shkruar një përgjigje në një aplikacion mesazhesh.
Ndërkohë, modeli i ri Oakley nuk ka ekran, por është pajisur me një kamerë të vendosur në qendër mbi pjesën e hundës, duke synuar sportistë si çiklistët. Dizajni i tyre bazohet te kornizat Sphaera me pamje sportive “wraparound”. Një video tjetër promovuese, e cila u shfaq po ashtu përkohësisht, ofroi një vështrim më të qartë mbi vendosjen e kamerës, por pa detaje shtesë për funksionet.

Të dy videot u hoqën shpejt nga kanali i Meta-s, por publikimi i tyre e ka bërë tashmë zyrtare atë që ne duhet të presim nga gjenerata e re e syzeve inteligjente të Meta. Kompania nuk ka dhënë ende koment, ndërsa pritet që ngjarja Connect më 17 shtator të zbulojë risitë dhe specifikat përfundimtare.