Apple ka prezantuar tre modele të reja të orëve inteligjente: Apple Watch Series 11, Apple Watch Ultra 3 dhe Apple Watch SE 3, duke sjellë funksione shëndetësore, lidhje më të shpejta dhe ekrane më të avancuara.
Apple Watch Series 11 sjell një risi të madhe në monitorimin e shëndetit: paralajmërime për hipertension. Duke përdorur sensorin optik të zemrës, ora analizon përgjigjen e enëve të gjakut ndaj rrahjeve të zemrës dhe identifikon modele të tensionit të lartë gjatë periudhave 30-ditore. Apple thotë se në vitin e parë mund të njoftojë mbi 1 milion njerëz me hipertension të padiagnostikuar.

Ky funksion do të jetë i disponueshëm edhe në Series 9 dhe 10. Një tjetër veçori e re është Sleep Score, që vlerëson cilësinë e gjumit bazuar në kohëzgjatjen, konsistencën, zgjimet dhe fazat e gjumit. Series 11 sjell gjithashtu lidhje 5G, jetëgjatësi baterie deri në 24 orë dhe një gamë ngjyrash të reja: Jet Black, Silver, Rose Gold dhe Space Gray. Çmimi fillestar: $399.

Apple Watch Ultra 3 fokusohet te përdoruesit aktivë dhe aventurierë. Ky model është i pari që mbështet lidhje satelitore, duke ofruar komunikim emergjent dhe mesazhe edhe në zona pa rrjet celular apo Wi-Fi. Ora gjithashtu mbështet njoftime hipertensioni, lidhje 5G dhe ofron deri në 42 orë bateri (72 orë në modalitet kursimi). Ekrani i ri me teknologjinë LTPO3 OLED është më i madh dhe më i ndritshëm, me korniza 24% më të holla. Disponohet në ngjyrat Black dhe Natural Titanium me çmim fillestar 799 dollarë.

Apple Watch SE 3 është opsioni më ekonomik, por sjell përmirësime të dukshme. Pajisur me çipin e ri S10, ai ofron performancë shumë më të lartë se gjenerata e mëparshme, gjithashtu për herë të parë mbështet Alëwys-on Display, gjeste si double-tap dhe wrist flick, si dhe karikim të shpejtë. SE 3 ka jetëgjatësi 18 orë, sensor temperature në kyç dhe vjen në madhësi 40 mm dhe 44 mm, me kasa në Midnight dhe Starlight. Çmimi fillestar: 249 dollarë.