Komisioni Evropian ka gjobitur Google me 2.95 miliardë euro për shkelje të rregullave të konkurrencës, duke favorizuar shërbimet e veta të reklamimit digjital. Kjo është hera e katërt që gjiganti amerikan i teknologjisë ndëshkohet nga BE për praktika antitrust, por ndryshe nga kërcënimet e mëparshme për ndarje të kompanisë, vendimi i fundit shmang një hap kaq drastik.
Hetimi i nisur në vitin 2021 zbuloi se Google kishte abuzuar me pozitën dominuese në zinxhirin e teknologjisë së reklamimit online, duke i dhënë përparësi platformave të veta përballë konkurrentëve, botuesve dhe reklamuesve. Komisioni urdhëroi kompaninë të ndalojë praktikat e “vetë-favorizimit” dhe të marrë masa për të shmangur konfliktet e interesit.
Google reagoi duke e quajtur vendimin “të gabuar” dhe njoftoi se do të apelojë.

“Ky vendim vendos një gjobë të pajustifikuar dhe kërkon ndryshime që do t’u bëjnë më të vështirë mijëra bizneseve evropiane të gjenerojnë të ardhura,” tha Lee-Anne Mulholland, drejtore globale e çështjeve rregullatore në kompani.
Komisioni kishte paralajmëruar në të kaluarën se shitja e disa pjesëve të biznesit të reklamave ishte e vetmja mënyrë për të garantuar konkurrencë të drejtë, duke qenë se gjobat dhe kufizimet e mëparshme nuk kishin dhënë efekt afatgjatë. Megjithatë, vendimi i tanishëm përfaqëson një tërheqje nga kjo qasje radikale, në një kohë kur tensionet midis Brukselit dhe administratës së presidentit amerikan Donald Trump mbi tregtinë dhe teknologjinë janë shtuar.
Rasti i fundit i BE-së vjen pas hetimeve të shumta ndaj gjigantëve të teknologjisë mbi fuqinë e tyre në tregun e reklamave digjitale.