Zvicra hyri zyrtarisht në garën globale të inteligjencës artificiale me prezantimin e Apertus, një model gjuhësor të madh (LLM) open-source, i zhvilluar nga institucionet publike të vendit. Emri “Apertus”, që në latinisht do të thotë “i hapur”, synon të ofrojë një alternativë ndaj modeleve të kompanive si OpenAI, duke vënë theksin te transparenca dhe interesi publik.
Apertus është produkt i bashkëpunimit midis EPFL, ETH Zurich dhe Swiss National Supercomputing Centre (CSCS), dhe është i plotësisht i hapur: përdoruesit mund të studiojnë çdo pjesë të procesit të trajnimit, përfshirë dokumentacionin dhe datasetet e përdorura. Modeli është ndërtuar për t’u përputhur me ligjet zvicerane të mbrojtjes së të dhënave dhe të drejtave të autorit, duke e bërë atë tërheqës për kompanitë që duan të respektojnë rregulloret europiane. Madje, Swiss Bankers Association e ka përshkruar si një projekt me potencial afatgjatë, për shkak të respektimit të rregullave të ndjeshme të bankave dhe privatësisë.

Apertus mund të përdoret nga të gjithë dhe kompanitë mund ta përshtatin për chatbot-e, përkthyes apo mjete edukative. Modeli është trajnuar mbi 15 trilionë token në mbi 1,000 gjuhë, ku 40% e të dhënave janë jashtë anglishtes. Trajnimi është bërë vetëm me të dhëna publike, duke respektuar kërkesat për opt-out, duke shmangur sfidat ligjore që kanë pasur disa kompani të tjera AI.
Apertus është aktualisht i disponueshëm në dy madhësi: 8 miliardë dhe 70 miliardë parametra, përmes Swisscom dhe Hugging Face. Ky model tregon ambicien zvicerane për të krijuar një AI publike, të hapur dhe të sigurt, duke e pozicionuar vendin si një nga lojtarët seriozë në fushën globale të inteligjencës artificiale.