Sam Altman, bashkëthemelues i OpenAI, po përgatitet të mbështesë një kompani të re që synon të rivalizojë drejtpërdrejt Neuralink-un e Elon Musk në fushën e ndërfaqeve tru-kompjuter. Startup-i, i quajtur Merge Labs, po mbledh fonde me një vlerësim prej rreth 850 milionë dollarësh, ku një pjesë e madhe e kapitalit pritet të vijë nga ekipi i investimeve të OpenAI. Altman do të jetë bashkëthemelues i projektit, por pa rol të përditshëm ekzekutiv, ndërsa në ekip do të përfshihet edhe Alex Blania, drejtues i projektit World (ID dixhitale biometrike, gjithashtu e mbështetur nga Altman).
Merge Labs synon të zhvillojë pajisje të avancuara tru-kompjuter, duke përfituar nga përparimet e fundit në inteligjencën artificiale dhe teknologjinë elektronike. Emri i kompanisë vjen nga koncepti i njohur në Silicon Valley si “the merge” – momenti kur njerëzit dhe makinat ndërthuren. Altman e kishte parashikuar këtë qysh në një blog të vitit 2017, duke spekuluar se mund të ndodhte deri në vitin 2025. Këtë vit, ai ka nënvizuar se ndërfaqet tru-kompjuter mund të bëhen së shpejti realitet falë zhvillimeve teknologjike.
Objektivi është mbledhja e 250 milionë dollarëve nga OpenAI dhe investitorë të tjerë, edhe pse negociatat janë ende në fazë të hershme. Nëse realizohet, Merge do të vendoset në konkurrencë të drejtpërdrejtë me Neuralink, e cila u themelua nga Musk në vitin 2016 dhe së fundmi ka siguruar $650 milionë fonde me një vlerësim prej $9 miliardë. Neuralink kryeson fushën e ndërfaqeve tru-kompjuter, por një sërë startup-esh, si Precision Neuroscience dhe Synchron, po përpiqen të arrijnë ritmin.
Rivaliteti midis Musk dhe Altman është përshkallëzuar që prej largimit të Musk nga bordi i OpenAI në vitin 2018, pas mosmarrëveshjeve për drejtimin e kompanisë. Sot, të dy po konkurrojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë: Musk përmes Neuralink dhe xAI, Altman përmes OpenAI dhe tani Merge Labs.