Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, emëroi Elon Musk të martën në një rol drejtues që synon krijimin e një qeverie më efikase në shumë drejtime.
Musk dhe ish-kandidati republikan presidencial, Vivek Ramaswamy do të bashkëdrejtojnë një departament të sapokrijuar të Efikasitetit të Qeverisë, një entitet që Trump tregoi se do të operojë jashtë kufijve të qeverisë. Trump tha në një deklaratë se Musk dhe Ramaswamy “do t’i hapin rrugën administratës sime për të çmontuar burokracinë qeveritare, për të eleminuar rregulloret e tepërta, për të shkurtuar shpenzimet e kota dhe për të ristrukturuar Agjencitë Federale“.
Trump tha se departamenti i ri do të realizojë ëndrrat e kahershme republikane dhe do të “sigurojë këshilla dhe udhëzime nga jashtë qeverisë“, duke sinjalizuar se rolet e Musk dhe Ramaswamy do të ishin joformale, pa kërkuar miratimin e Senatit dhe duke lejuar Musk të mbetet kreu i kompanisë së makinave elektrike Tesla, platformën e mediave sociale X dhe kompaninë e raketave SpaceX.
Departamenti i ri do të punojë me Shtëpinë e Bardhë dhe Zyrën e Menaxhimit dhe Buxhetit për të “drejtuar reforma strukturore në shkallë të gjerë dhe për të krijuar një qasje sipërmarrëse” ndaj qeverisë që nuk është parë më parë, tha Trump.
Puna e tyre do të përfundojë më 4 korrik 2026 – 250 vjetori i nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë.
“Të gjitha veprimet e Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë do të postohen në internet për transparencë maksimale,” tha Musk në X, duke ftuar publikun të japë këshilla.