Venus Aerospace ka përfunduar fluturimin testues të një droni të pajisur me “motorin rrotullues të raketës shpërthyese” (RDRE) – duke e bërë që ai të fluturonte pothuajse me shpejtësinë e zërit.
Kompania dëshiron që një ditë të ndërtojë avionë komercialë super të shpejtë duke përdorur këtë lloj të ri motori. Në fluturimin provë, të kryer më 24 shkurt, kompania fluturoi dronin, i cili është 2.4 metra i gjatë dhe peshon 136 kilogramë në një lartësi prej 3658 m nga një Aero L-29 Delfín, para se të vendosej dhe të aktivizohej RDRE, thanë përfaqësuesit e kompanisë në një deklaratë.
Droni fluturoi 16 km me 0,9 Mach – mbi 1094 km/h – duke përdorur 80% të shtytjes së disponueshme të RDRE. Fluturimi i suksesshëm vërtetoi qëndrueshmërinë e RDRE dhe sistemeve të lidhura me fluturimin në bord. Tre javë më parë, Venus Aerospace demonstroi qëndrueshmërinë e teknologjisë së saj RDRE me një djegie provë me kohëzgjatje të gjatë – gjatë së cilës inxhinierët treguan se motori i tyre funksionoi për kohëzgjatjen e këtij fluturimi testues.
Në vend që të kryejë një djegie të vazhdueshme si shumica e motorëve të raketave, RDRE vepron nga një valë shpërthimi që rrotullohet vazhdimisht rreth një unaze ose dhomë në formë unaze. Karburanti, peroksidi i hidrogjenit, injektohet në unazë dhe shpërthimet e përsëritura bëhen të vetëqëndrueshme pas ndezjes fillestare. Në fluturimin testues RDRE, unaza ishte afërsisht 25.4 centimetra në diametër dhe prodhoi 544 kg shtytje.
Teknologjia RDRE është 15% më efikase se motorët e raketave konvencionale, thanë përfaqësuesit e Venus Aerospace në një deklaratë.