Pacienti i parë në të cilin u implantua çipi i trurit nga Neuralink duket se është rikuperuar plotësisht dhe është në gjendje të kontrollojë një mouse vetëm duke përdorur mendimet e tij, siç u bë e ditur nga themeluesi i startup-it Elon Musk vonë të hënën.
“Përparimi është i mirë, dhe pacienti duket se ka bërë një shërim të plotë, pa asnjë efekt negativ për të cilin ne jemi të vetëdijshëm. Pacienti është në gjendje të lëvizë mouse-in rreth ekranit vetëm duke menduar,” tha Musk në Spaces të organizuar nëplatformën X. Musk tha se Neuralink tani po përpiqej të merrte sa më shumë klikime të butonit të mouse-it nga pacienti.
Firma implantoi me sukses një çip në pacientin e saj të parë njerëzor muajin e kaluar, pasi mori miratimin për kryerjen e provës mbi njerëzit në shtator. Një robot përdoret për të vendosur në mënyrë kirurgjikale një implant të ndërfaqes tru-kompjuter në një rajon të trurit që kontrollon qëllimin për të lëvizur, ka thënë Neuralink, duke shtuar se qëllimi fillestar është t’u mundësojë njerëzve të kontrollojnë një kursor kompjuteri ose tastierë duke përdorur mendimet e tyre.
Musk ka ambicie të mëdha për Neuralink, duke thënë se do të lehtësonte futjen e shpejtë kirurgjikale të pajisjeve të saj me çip për të trajtuar sëmundje si obeziteti, autizmi, depresioni dhe skizofrenia.