Tingëllon më shumë si fantashkencë sesa realitet, por gazeta zvicerane Aargauer Zeitung raportoi se rreth tre milionë furça dhëmbësh inteligjente u shfrytëzuan nga hakerat për të kryer një sulm të Distributed Denial of Service (DDoS).
Këto pajisje, në pamje të parë të padëmshme, dyshohet se ishin shkaktarët e një ndërprerje disa orëshe të funksionimit të një kompanie zvicerane, duke kushtuar miliona euro dëme. Megjithatë kompania e sigurisë Fortinet, e cila tregoi versionin real të kësaj historie, po pranon se janë bërë gabime.
Një përfaqësues i Fortinet tha: “Për t’u sqaruar, tema e furçave të dhëmbëve që përdoren për sulmet DDoS është nxjerrë jashtë kontekstit. Duket se teoria e përdorimit të furçave inteligjente në një sulm DDoS janë përdorur në skenarët hipotetikë.”
Në këtë skenar hipotetik furçat e dhëmbëve, pasi u infektuan, nisën të shfrytëzoheshin me një qëllim të keq duke realizuar një sulm të suksesshëm. Supozohet se kjo gjë u arrit duke “mbytur” uebsajtin zviceran me trafik fals, duke nxjerrë jasht loje shërbimet online duke shkaktuar ndërprerje të gjerë.
Edhe pse kjo histori nuk ishte e vërtetë, episodi nënvizon rrezikun që paraqitet, ndërsa IoT po përfshihet gjithnjë e më shumë në jetën tonë të përditshme.
Furçat e dhëmbëve “inteligjente” janë tashmë prej 10 vitesh në treg. Pajisjet që dikur dukeshin të padëmshme mund të përdoren si pika potenciale hyrëse për kriminelët kibernetikë. Implikimet janë të mëdha, jo vetëm për privatësinë dhe sigurinë individuale, por edhe për infrastrukturën kombëtare dhe stabilitetin ekonomik.