Shitësi spanjoll i veshjeve Zara e gjen veten të përfshirë në një krizë pas publikimit të fushatës së fundit reklamuese, të titulluar “Xhaketa“.
Fushata, e cila synon të nxjerrë në pah kombinueshmërinë e veshjes, ka ngjallur zemërim publik për shkak të imazheve të diskutueshme që të kujtojnë gjenocidin e Gazës. Zara pohon se fokusi i fushatës është te dizajni, por imazhet e përshkruara shkaktuan reagime të forta.
Mediat sociale shpërthyen me akuza pasi përdoruesit shprehën zemërimin dhe neverinë e tyre, duke u zotuar të bojkotojnë markën. Deklarata e një përdoruesi i bëri jehonë ndjenjave të shumë njerëzve: “Do ta bojkotoj për gjithë jetën. Jeni demonë të neveritshëm. Nuk mund ta besoj atë që po shikoj.”
Imazhet në fjalë përfshijnë portretizime shqetësuese që ngjajnë me veshje të ceremonisë mortore dhe një hartë të përmbysur të Palestinës, duke u krahasuar qartësisht me konfliktin e vazhdueshëm në Gaza.
Kritikët akuzuan Zarën për shfrytëzimin e ngjarjeve tragjike për qëllime marketingu. Një përdorues komentoi: “A mendoni se janë vrarë 20,000 njerëz dhe është normale që ju të përdorni vdekjen e tyre si një metodë marketingu? Mos dilni dhe thoni se gjithçka ishte padashur… neveritëse.”
Pavarësisht protestave publike, Zara ende nuk ka dhënë një përgjigje apo deklaratë në lidhje me polemika. Kjo nuk është hera e parë që Zara përballet me akuza lidhur me konfliktin Izrael-Palestinë. Në tetor 2022, palestinezët nisën një fushatë bojkotimi pasi mbajtësi i ekskluzivitetit të Zara në Izrael shprehu mbështetje për partinë ekstremiste të Forcave Hebraike.