Elon Musk tha të shtunën se Starlink i SpaceX do të mbështesë lidhjet e komunikimit në Gaza për “organizatat e njohura ndërkombëtare humanitare“, dhe kjo gjë e ka shtyrë ministrin e komunikimit të Izraelit të thotë se Izraeli do të luftojë këtë lëvizje. Musk tha në një postim në rrjetin social X se nuk ishte e qartë se kush ka autoritet për lidhjet tokësore në Gaza, por ai e dinte se “asnjë terminal nuk ka kërkuar një lidhje në atë zonë“.
Një ndërprerje e rrjetit telefonik dhe internetit izoloi njerëzit në Rripin e Gazës nga bota dhe nga njëri-tjetri të shtunën, të cilët e kishin të pamundur të telefononin ambulancat ose të dashurit e tyre diku tjetër, pasi Izraeli zgjeroi sulmet ajrore dhe tokësore.
Organizatat ndërkombëtare humanitare thanë se ndërprerja, e cila filloi vonë të premten, po përkeqësonte një situatë tashmë të dëshpëruar duke penguar operacionet për shpëtimin e jetës dhe duke parandaluar kontaktin me stafin e tyre në terren. Duke iu përgjigjur postimit të Musk në X, ministri i komunikimit i Izraelit, Shlomo Karhi tha se Izraeli “do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për ta luftuar këtë”.
“HAMAS do ta përdorë atë për aktivitete terroriste”, ka shkruar Karhi. “Ndoshta Musk do të ishte i gatshëm ta kushtëzonte atë me lirimin e foshnjave, djemve, vajzave, të moshuarve tanë të rrëmbyer. Të gjithë ata! Deri atëherë, zyra ime do të ndërpresë çdo lidhje me Starlink.”
Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022, satelitët Starlink u raportuan të kenë qenë kritikë për ruajtjen e lidhjes së internetit në disa zona, pavarësisht tentativës së bllokimit rus. Që atëherë, Musk ka thënë se ka refuzuar të zgjerojë mbulimin mbi Krimenë e pushtuar nga Rusia, duke refuzuar të lejojë që satelitët e tij të përdoren për sulmet ukrainase ndaj forcave ruse atje.